Osmani: Konflikti në Ukrainë dhe zvogëlimi i pasojave nga kriza – prioritete në kryesimin e Maqedonisë së Veriut me OSBE-në

Bota po përballet sërish me sfidën e saj më të madhe. Dhe OSBE-ja është në sy të stuhisë së agresionit të vazhdueshëm të një shteti pjesëmarrës mbi një tjetër. Agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës është i pajustifikuar dhe i gabuar. Është një shkelje flagrante e Kartës së KB-së, e premisave bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe mbi të gjitha e vlerave të njerëzimit. Kjo luftë po gërryen edhe themelet e OSBE-së, vizioni i së cilës si qendër e bashkëpunimit ndërkontinental të sigurisë është testuar seriozisht. Si kryetar i organizatës në vitin 2023, konflikti në Ukrainë dhe ulja e pasojave të gjera të krizës do të jenë prioriteti ynë i lartë.

Këtë e theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në prezantimin e tij para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, duke prezantuar prioritetet e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me organizatën në vitin 2023.

“Dy shtytësit kritikë, dialogu dhe vendimmarrja konsensuale që synojnë bashkëpunimin paqësor dhe qëndrueshmërinë, janë mënjanë. Kjo i paralizon asetet e organizatave tona dhe i bllokon proceset e tyre, duke shtuar në të njëjtën kohë pasiguri dhe shqetësim të mëtejshëm në gjithë rajonin e OSBE-së dhe më gjerë, madje duke vënë në pikëpyetje të ardhmen tonë si organizatë”, tha Osmani.

Ai theksoi se OSBE-ja dhe vendet e saj pjesëmarrëse kanë vite që investojnë në ndërtimin e besimit, institucioneve dhe mekanizmave; Këmbëngulja për dialog, herë-herë e mërzitshme dhe megjithatë një mjet shumë i nevojshëm për tejkalimin e mosmarrëveshjeve, pikërisht besimi dhe bashkëpunimi ishin ndër viktimat e para të këtij agresioni.

“Forca është zgjedhur mbi diplomacinë për më shumë se gjashtë muaj. Fantazmat e historisë kanë pushtuar skenën shumëpalëshe, duke dominuar axhendat globale, ndërsa sforcojnë punën e organizatave ndërkombëtare. Dhe e jona, në OSBE. Në këtë sfond kompleks, Maqedonia e Veriut duhet të marrë kryesimin në vitin 2023”, tha Osmani.

Gjendja aktuale e lojës është e zymtë, thotë ai, dhe ajo që ka përpara është një enigmë, dhe pyetja se si të drejtohet një organizatë me projeksione buxhetore për vitin 2023 ndërsa buxheti i 2022 është ende në ajër është vetëm një nga shumë sfidat për organizatën.

“Kryesimi predispozon për udhëheqje dhe ne do të sigurohemi që të eksplorojmë çdo rrugë që të çon në konsensus. Megjithatë, zgjidhjet dhe përparimi varen nga të gjithë ne. E vetmja rrugë përpara është të mbështetemi në multilateralizmin e drejtuar nga zgjidhjet efektive, bazuar në respektimin e parimeve themelore që qëndrojnë në zemër të organizatës sonë. Ne do të fokusohemi te qëllimi ynë: të bëjmë diferencën në terren; zbatimi i obligimeve tona dhe rivendosja e stabilitetit përmes kthimit të dialogut”, tha shefi i diplomacisë Osmani.

Ai theksoi se në dimensionin e parë politiko-ushtarak, prioritet i lartë do të mbetet parandalimi dhe menaxhimi i konflikteve dhe në këto korniza, mbi të gjitha, lufta në Ukrainë.

“Ukraina do të mbetet prioriteti ynë i lartë. Kjo ishte edhe arsyeja që ne mbështetëm vazhdimin e aktiviteteve të OSBE-së në Ukrainë. Megjithatë, të mos harrojmë se ka tensione edhe në vende tjera në rajonin e OSBE-së që po shkaktojnë gjithashtu shqetësime të mëdha. Është e rëndësishme të ndërtohet mbi formatet ekzistuese, duke ofruar mbështetje për praninë tonë në terren dhe operacione të tjera në terren. Organizata duhet të mbetet e angazhuar nëpër rajone në kërkim të paqes”, theksoi Osmani.

Fatkeqësisht, jetojmë në një epokë turbulencash. Situata në rajonin e OSBE-së është kritike.

“Prioritetet kornizë përgatiten në korrelacion me pasqyrën aktuale politike dhe duhet të pasqyrojnë interesin e përgjithshëm të Organizatës në kohë krize. Në këtë mënyrë, demonstrojmë ndërgjegjësimin për sfidat reale, njohje dhe përshtatshmëri”, theksoi Osmani.

Ministri potencoi se synimet preliminare prioritare janë në linjë me parimet dhe angazhimet e Organizatës dhe se ato kanë një qëllim të shumëfishtë: t’i reflektojnë interesat tona, kontinuitetin e prioriteteve të rregullta të OSBE-së, por edhe t’i përgjigjet marrëdhënieve komplekse gjeopolitike. Në këtë kontekst, ai e veçoi sigurinë energjetike, ushqimore dhe sigurinë e ujit, si tema që imponohen në agjendën e OSBE-së.

“Nëse nuk i diskutojmë këto apo sfidat e ngjashme, ekziston rreziku që ato të bëhen burime të përhershme konfliktesh shtesë”, theksoi ministri, Osmani.

Prioritetet kornizë rrjedhin nga koncepti i sigurisë së përgjithshme të Organizatës. Ato i referohen njësive tematike që lidhen me korpusin tradicional të çështjeve që kanë depërtuar në agjendën e OSBE-së ndër vite: konfliktet e ngrira, parandalimi, menaxhimi dhe transformimi i tyre. Mandej, temat që kanë të bëjnë me ekonominë dhe mjedisin, dixhitalizimin, ndryshimet klimatike si dhe ato që dalin nga dimensioni humanitar i OSBE-së, me qëllim promovimin më të madh të të drejtave dhe lirive të njeriut, qeverisjes së mirë, barazisë gjinore dhe politikave rinore. Promovimi i përfitimeve nga modeli ynë i demokracisë multietnike funksionale do të jetë pjesë e kornizës prioritare të presidencës”, theksoi Osmani duke e asyetuar platformën kornizë të presidencës në vitin 2023 para ambasadorëve.

“Në vitin 2023, Maqedonia e Veriut do të ofrojë udhëheqjen politike të OSBE-së, duke u përpjekur të kontribuojë në proceset për stabilitet më të madh vendimtar për sigurinë e përgjithshme evropiane. Ne do të jemi të vendosur dhe vigjilentë, por realistë dhe do të mbështetemi në përvojën tonë në menaxhimin e sfidave të ndryshme. Ekipet tona nuk do të kursejnë asnjë përpjekje për të përmbushur mandatin e besuar. Ata do të jenë të hapur dhe pranues ndaj propozimeve që synojnë përmirësimin e rolit të OSBE-së në zbutjen e krizës dhe kapacitetet e saj të paraluftës në promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe lirive themelore”, tha Osmani.

Maqedonia e Veriut e merr presidencën në vitin 2023 nga Polonia dhe sipas formatit të vendosur, këtë vit kryeson me Grupin Mesdhetar të partnerëve të OSBE-së.