Ndahen certifikatat për gjeneratën e dytë të pjesëmarrësve në trajnim për përkthyes dhe lektorë

Në amfiteatrin e Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup, sot u mbajt ceremonia përfundimtare e ndarjes së certifikatave për gjeneratën e dytë të pjesëmarrësve, të cilët morën pjesë në trajnimin për përkthim dhe lektorim nga maqedonishtja në shqip dhe nga shqip në maqedonisht.

Në këtë aktivitet foli drejtori i AZGj-së, Ylber Sela dhe ministri i Shoqërisë Informative dhe i Administratës, Admirim Aliti. Të ftuar në këtë aktivitet ishin anëtarë të pushtetit ekzekutiv, përfaqësues të trupit diplomatik, duke përfshirë shefin e misionit të BE-së, ambasadorin David Geer, zëvendësshefi i misionit të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë, Otto Graf, drejtues të institucioneve publike, anëtarë të komunitetit akademik, përfaqësues të sektorit civil dhe medias.

Në trajnim u përfshinë 72 nëpunës nga 43 institucione publike që kryejnë punë të përkthimit dhe lektorimit në gjuhët zyrtare. Pjesën mësimore të trajnimit e realizuan ligjërues, profesorë dhe gjuhëtarë eminentë nga vendi ynë, nga Republika e Shqipërisë dhe nga Republika e Kosovës, të cilët hartuan ligjërata të përshtatshme nga fusha të veçanta gjuhësore. Gjithashtu, mjet i dobishëm në realizimin e trajnimit ishte Manuali i trajnimit, shtypja e të cilit është mbështetur financiarisht nga Misioni i OSBE-së në Shkup.