Miliona shiit shënojnë Ditën e Arbain në Karbala të Irakut

Të veshur në të zeza, rreth 20 milionë pelegrinë muslimanë nga e gjithë bota ishin mbledhur sot në qytetin iraken të Karbala, për ditën fetare përkujtimore të Arbain.

Megjithë krizën politike që ka përfshirë vendin, besimtarët shiit erdhën për të shënuar fundin e 40-ditëshit të zisë për vrasjen imamit Hussein në shekullin e 7-të.

Kjo konsiderohet si një ditë themelore për besimin e tyre.

Në festivalin e përvitshëm burra e gra udhëtojnë drejt Karbala, në vendvarrimin e Imamit Hussein dhe vëllait të tij Abbas, në një nga grumbullimet më të mëdha fetare në botë.

Mes tyre llogaritet se janë rreth 5 milionë vizitorë të huaj, duke përfshirë tre milionë nga Irani fqinjë, sipas statistikave të të dyja vendeve.

Në fushën mes dy mauzoleumeve të Hussein e Abbas, besimtarët recitonin sot lutjet e tyre.

Grupe burrash rrihnin gjokset e tyre nën ritmin e recitimve të lutjes të përsëritura nga megafonët, ndërsa të tjerë ecnin ngadalë mes dy mauzoleumeve.

Pelegrinët valëvisnin flamurë të zinj me imazhe të imamit Hussein.