Mbreti i ri miraton urdhrin, funerali i Elizabeth do të jetë ditë pushimi në Mbretërinë e Bashkuar

Mbreti i ri Charles miratoi urdhrat që shpallin ditën e funeralit të Mbretëreshës Elizabeth si një ditë bankare ose publike (pushimi)  në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë Këshillit Privy, ai miratoi dy urdhra që shpallin ditën e funeralit shtetëror të Elizabeth si ditë bankare në Angli, Uells, Irlandën e Veriut dhe Skoci.

Charles u shpall zyrtarisht mbret pak minuta më parë në një ceremoni të drejtuar nga Këshilli i Aderimit, i cili mblidhet vetëm për vdekjen e një monarku britanik. Ai përbëhet nga anëtarë të Këshillit Privy, një organ zyrtar këshillues për Mbretin ose Mbretëreshën.

Mbreti Charles III bëri deklaratën e tij në Pallatin e St James, ku i bëri homazhe nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth II, dhe foli për “trashëgiminë e madhe dhe për detyrat dhe përgjegjësitë e rënda të Sovranitetit që tani më kanë kaluar mua”.