Mariçiqi do ta kryesojë ekipin që do të negociojë me BE-në

Në seancën e sotme qeveritare është miratuar vendimi për krijimin e strukturës negociuese për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në vitin 2019, Qeveria miratoi një sërë masash me çka u vendos mekanizëm, por domosdoshmërish u konstatua edhe nevoja e ndryshimit të tij nga disa arsye.


Procesi i zgjerimit ka ndryshuar dhe kriteret për anëtarësim në Union po ashpërsohen, veçanërisht pas miratimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat qasëse në vitin 2020, informoi zëvendëskryeministri për Çështje evropiane, Bojan Mariçiq në konferencën e sotme për media.

Mariçiq tha se nuk ka asnjë model të përvojës nga vendet që kanë negociuar deri tani ose ende janë duke negociuar, pasi kjo metodologji për herë të parë vihet në funksion.

“Metodologjia e re imponon negociata më të kapshme politikisht në mënyrën që e ngre procesin e përgjithshëm në një nivel më të lartë politik në të gjitha fazat e negociatave. Me vendimin e sotëm vendosim një strukturë të re që thjeshton këtë mekanizëm dhe e bën atë hierarkisht më funksional më efikas dhe më efektiv. Po vendoset kryenegociator, funksion që do ta kryej unë si zëvendëskryetar i Qeverisë përgjegjës për Çështje evropiane. Për konsistencën hierarkike, do të ketë edhe një zëvendëskryenegociator, atë funksion do ta kryejë Sekretarja shtetërore për Çështje evropiane, Drita Abdiu Halili”, informoi Mariçiqi.

Duke sqaruar strukturën e negociatave, ai theksoi se përveç negociatorit kryesor dhe zëvendësit, përmban edhe një Komitet për negociata të kryesuar nga Qeveria dhe kryeministri, Dimitar Kovaçevski, katër zëvendëskryeministra, ministri i Punëve të Jashtme dhe ministri i Financave. Përmban edhe një Delegacion shtetëror për negociata në krye me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani si shef i delegacionit.

Në përbërjen e strukturës negociuese përfshihet edhe një grup negociator i përbërë nga një ekonomist kryesor, jurist kryesor dhe shef i anti-korrupsionit. Është formuar edhe Komitet pune për Integrim evropian dhe grupe punuese për negociatat aderuese, si trupa ndihmëse të ndarë në klastere, tre zona dhe 33 kapituj. Të njëjtit do të marrin pjesë në përgatitjen e analizave për shkallën e përputhshmërisë së legjislacionit kombëtar me BE-në dhe përgatitjen e draft-pozicioneve negociuese.

Si pikë e vetme për koordinim do të jetë Sekretariati për Çështje evropiane duke pasur parasysh kompetencat e parapara me ligj.

“Për shkak të rëndësisë dhe rolit të Kuvendit, vendimi i tij do të përcaktohet me një marrëveshje të ndërsjellë në të cilën do të jepet dhe përcaktohet roli i opozitës. Në ditët në vijim janë planifikuar takime me kryetarin e Këshillit kombëtar për eurointegrime me çka i shtrijmë dorën opozitës që të përfshihet në këtë proces”, tha Mariçiq.

Sa i përket presidentit të shtetit, ai shtoi se në mënyrë shtesë do të përcaktohet mekanizmi për mënyrën dhe dinamikën e informimit të presidentit të shtetit për negociatat aderuese.

Vendimi i strukturës negociuese, zëvendëskryeministri për Çështje evropiane thotë se parasheh edhe mundësinë që përfaqësuesit e sektorit civil të marrin pjesë në punën e grupeve punuese. Gjithashtu, komuniteti i biznesit do të ketë vendin e tij në proces si dhe komunitetin akademik dhe pushtetin vendor.

“Qëllimin që krijuam është përfundimi i negociatave dhe anëtarësimi në BE deri në vitin 2030. E ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian dhe prandaj është e nevojshme përmes angazhimit maksimal të përfshihemi, të shfrytëzojmë shansin që kemi para nesh dhe me hapa të shpejtë të ecim përpara dhe të sigurt drejt anëtarësimit të plotë në BE. Vijon një periudhë dinamike për të gjithë ne, ku do të kemi adresim të aspekteve të shumta, tema të shumta. Vetëm nëse jemi të sinqertë, do të kemi zbatim efektiv të reformave të nevojshme dhe gatishmëri për fazën tjetër, ajo është hapja e klasterave dhe kapitujve”, nënvizon Mariçiqi.