Kuvendi në vazhdimin e sotëm të mbledhjes së 86-të, votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë për ngrohje në Shkup.

Me 83 vota “për”, asnjë “kundër” dhe asnjë “abstenim” ishte votuar vazhdimi i afatit të ekzistimit të gjendjes së krizës në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të mungesës së energjisë për ngrohje dhe gjendjes në tregjet e energjisë elektrike, ndërsa me 86 vota “për”, asnjë “kundër” dhe asnjë “abstenim”, ishte votuar propozim-vendimi për vazhdimin e afatit të ekzistimit të gjendjes së krizës në rajonin e Qytetit të Shkupit, për shkak të mungesës së energjisë së ngrohjes, mundësisë për shfrytëzimin e lëndëve djegëse alternative dhe gjendjes në tregun e energjisë së ngrohjes.

Sot nuk ishte hapur debati për pikën e tretë dhe të katërt të rendit të ditës së mbledhjes së 86-të – Propozimi i planit hapësinor të Parkut Kombëtar Pelister 2016-2030 dhe Propozimi i ligjit për ndryshime të Ligjit për Disiplinë Financiare, për shkak të asaj që komisionet amë ende nuk i kanë shqyrtuar ato propozime. Vazhdimi i mbledhjes do të caktohet për ditë tjetër.