Kurti ishte informuar mbi planet për ekzekutimin e tij

Zyra e Kryeministrit tashmë i ka kthyer përgjigje redaksisë së Nacionales në lidhje me pretendimet se ka pasur një plan për vrasjen e kryeministrit Kurti, siç raportuan sot disa medie shqiptare. Ata thonë se kryeministri ka qenë në dijeni të këtij plani.


Më herët u mor vesh se hakerët i kishin marrë shumë të dhëna ish drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Gledis Nano. Mes këtyre të dhënave ndodheshin edhe informacionet për një plan që të vritej kryeministri i Republikës së Kosovës.

Përveç kryeministrit, plan kishte pasur edhe për vrasjen e deputetit Xhavit Haliti dhe një komantant i UÇK-së me emrin Ismet Haxha.

Kjo është konfirmuar nga ana e Zyres për Kryeministrin në një përgjigje dhënë Nacionales.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi. Rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik.” – thuhet në këtë përgjigje.

Fatkeqësisht, nuk ka detaje të tjera në lidhje me kohën se kur ishte paraparë të ndodhte ky atentat dhe nëse personi i pretenduar ishte arrestuar nga organet e rendit. Po ashtu, nuk dihet nëse ka pasur masa shtesë sigurie për kryeministrin e Kosovës.

Në një dokument të siguruar nga gazeta Nacionale thuhej që Njësia Kundër Terrorizmit që funksionon në kuadër të Policisë së Kosovës, i kishte identifikuar 17 persona të afërt me personin në fjalë, emri i të cilit raportohet të jetë Prek Kodra.

Kodra raportohet se jetonte në Shkodër, ishte i implikuar në të tjera raste të rënda dhe se dinte të përdorte snajperin.

Qëllimi i kësaj serie atentatesh ishte destabilizimi i situatës politike në vendin tonë.

Gledis Nano, i kontaktuar nga redaksia e Nacionales, nuk ka dashur të komentojë më tej këto raportime.

Ndërkohë, edhe Ismet Haxha e Xhavit Haliti kanë thënë po ashtu se ishin të informuar mbi këto plane.