Kur shteti harron sakrificën e mjekëve!

Nga Dr. Spec. Fatmir Hasani

Mjekët amë, ose nëse mund t’i quajmë edhe mjekë familjarë, javën që shkoi u hodhën në protestë. Gjatë protestës ata thanë se ky është paralajmërimi i fundit për ‘mbijetesën e mjekëve’ privatë që marrin para nga fondi. Ata kërkojnë rritje të pikëve të kapitacionit, duke përkujtuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut se mjekët e familjes janë më të prekurit.
Edhe pse ministri i Shëndetësisë, Sali, i cili edhe vetë vjen nga shëndetësia private, si stomatolog, disa herë ka folur situatën e palakmueshme të mjekëve të shëndetit primar dhe i di mirë problemet e tyre, deri më tani nuk ka treguar mirëkuptim për të ofruar një model të ri financimi.
Edhe pse kjo protestë treditore është e disata protestë e mjekëve të familjes, sërish i la mjekët të pakënaqur me sistemin jofunksional të kujdesit shëndetësor, i cili krijon probleme duke i vënë në masë të pabarabartë në raport me shpenzimet gjithnjë në rritje të të gjitha shërbimeve dhe produkteve të konsumit jetësor.
Gjithnjë e më shumë po bëhet neglizhuese sjellja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë kundrejt mjekësisë familjare, që si e tillë, mund ta përkeqësojë kujdesin shëndetësor. E gjithë kjo, për fat të keq, nuk mund të kalojë pa pasoja për pacientët. Nuk duhet harruar se shumë mjekë që punojnë në komuna më të vogla janë prekur së tepërmi nga kjo shpërfillje institucionale. Përgjithësisht, krahas pagave të ulëta, mjekët e mjekësisë familjare janë të pakënaqur edhe nga burokracia e panevojshme që ka imponuar shumë punë administrative, etj. Prandaj, mbetet kërkesë e mjekëve që të rritet kapitacioni për kujdesin parësor shëndetësor, sepse kjo që po u ndahet aktualisht nuk mjafton.
Në mënyrë që situata me pacientët të mos përshkallëzohet, duhet gjetur një zgjidhje. Duhet të marrë fund ky avaz i nënvlerësimit të profesionit të mjekësisë primare në sytë e publikut, sepse mjekësia familjare luan një rol shumë të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve shëndetësore funksionale dhe me një kosto më të ulët. Nëse vazhdon kjo sjellje e paparecendë institucionale sigurisht që do të reflektohet keq në të ardhmen edhe tek mjekët e rinj, të cilët ardhmërinë e tyre do ta kërkojnë jashtë vendit. Fundja, kjo ndodhë kur shteti harron sakrificën e mjekëve!