Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot në Nju Jork pati takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Azerbajxhanit, Xhejhun Bajramov. Temë e diskutimit në takim ishte kriza energjetike dhe mundësitë për bashkëpunim në fushën e ofrimit të energjisë dhe mundësia e kyçjes në rrjetin e gazsjellësit.

Siç njoftoi shërbimi për shtyp i qeverisë, në takim u theksua se veprimet ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës janë një nga shkaktarët e krizës energjetike në botë dhe se kjo situatë është ndjerë më shumë në Evropë, e cila ka shkaktuar një rritje të rëndë të çmimit të gazit natyror.

“Në bisedime u theksua se Azerbajxhani kontribuon në tejkalimin e krizës energjetike duke zhvilluar tubacionet ekzistuese të gazit. Në takim u diskutua gjithashtu se BE-ja po shkon drejt furnizuesve të besueshëm të energjisë, dhe Azerbajxhani është një prej tyre, përmes zgjerimit të Korridorit Jugor të Gazit duke dyfishuar dërgesat e gazit nga Azerbajxhani në BE, informoi shërbimi për shtyp i qeverisë.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se me interkonektorin për lidhjen e gazit me Greqinë, Maqedonia e Veriut do të lidhet me gazsjellësin trans-Adriatik dhe kështu gazi nga Azerbajxhani do të arrijë edhe në tregun tonë.

“Për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërtimi i sistemit kombëtar të gazsjellësit dhe lidhja e tij me sistemet rajonale të gazsjellësit është prioritet. Takimi në Nju Jork i kryeministrit Kovaçevski dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Azerbajxhanit, Bajramov, u shfrytëzua për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve në sfera të ndryshme”, theksohet në kumtesë.