Kovaçevski në Samitin “Ballkani i Hapur”: Përmes hapave konkretë avancojmë bashkëpunimin rajonal, në rrugën drejt BE-së – Ballkani i Hapur është nismë funksionale

Kryeministri Dimitar Kovaçevski mbajti fjalim në Samitin e liderëve “Ballkani i Hapur” në Beograd. Fjalime kanë mbajtur edhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.


Kryeministri Kovaçevski foli për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në rrugën drejt Bashkimit Evropian, veçanërisht në kushtet e trazirave botërore dhe krizës ekonomiko-energjetike.

Në vazhdim përcjellim fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski në tërësi:

“Bashkimi është një fillim, të qëndrosh së bashku është përparim, ndërsa bashkëpunimi është sukses”.

Ky është vlerësim i dy shekujve më parë, i industrialistit dhe pacifistit amerikan me famë botërore, Hari Ford – ne sot mund ta konfirmojmë .
Sepse bashkimi ynë, qëndrimi së bashku dhe bashkëpunimi është motori që do të na çojë përpara përmes sfidave të dimrit që vijon, për të cilin e gjithë bota është e shqetësuar.

Sot është më se e qartë se Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, me nismën e Ballkanit të Hapur, bënë hapin e duhur në një moment vendimtar.
Ne u bashkuam për të avancuar bashkëpunimin rajonal, në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Bashkërisht, përmes hapave konkretë, jemi përkushtuar për të lehtësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, tregtisë dhe shërbimeve.
Ndërtonim marrëdhënie të mira fqinjësore dhe besim si vende mike, ndërsa disa analizonin nëse ky bashkëpunim mund të na defokusojë nga rruga evropiane.
Por ne besojmë se po bëjmë atë që është e nevojshme për qytetarët tanë dhe vendet tona, pikërisht në rrugën evropiane – përmes avancimit të bashkëpunimit rajonal, siç funksionojnë edhe vendet në Evropë.

Edhe sot, ky bashkëpunim i Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë në kuadër të Ballkanit të Hapur hapi rrugën që bashkërisht të përballemi me sfidat e sigurimit të ushqimit dhe energjisë për qytetarët tanë, në kushtet kur të gjitha vendet e botës po bëjnë përpjekje për t’u përballur me pasojat e luftës në Ukrainë dhe pandeminë.

Me marrëveshjet që do t’i nënshkruajmë në këtë Samit, do të angazhohemi për disponueshmërinë e ushqimit për qytetarët tanë. Së pari, le të ndihmojmë njëri-tjetrin, kudo që është e nevojshme, dhe pastaj do të tregtojmë drejt vendeve të tjera – ashtu siç u ka hije fqinjëve të mirë – siç funksionojnë të gjitha vendet në botë.

Ne do të ndihmojmë njëri-tjetrin në rast të ndërprerjes së furnizimit me ushqim, si pasojë e krizës globale, kur ndonjë nga vendet tona do të përballej eventualisht me mungesë në furnizimin me produkte bazë bujqësore dhe ushqimore në tregun e vendit.

Ne nuk do të kemi ndalime për tregtimin e tyre. Do të mundësojmë rrjedhjen e tyre të qëndrueshme dhe të pandërprerë, pa asnjë kufizim. Për shumë produkte të ndryshme, bazë, të nevojshme si misri, gruri, mielli, qumështi dhe produktet e qumështit, sheqeri, vaji, etj.

Ne si Qeveri, përmes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, tanimë kemi ndarë mjete për Fondin Intervenues me të cilin ndihmojmë dhe stimulojmë rritjen e prodhimit të vendit të produkteve ushqimore bazë bujqësore – edhe në periudhën e ardhshme do të mbetemi të fokusuar drejt këtij qëllimi. Por, sigurisht, që bashkëpunimi për të cilin do të biem dakord në këtë Samit, në pjesën e solidaritetit dhe lehtësimit të ndërsjellë, nëse merren parasysh situatat me mungesën e ushqimit në shkallë globale.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe ministrive të tjera dikasteriale, po punon edhe në vënien në funksion të të gjitha potencialeve energjetike në vendin tonë, në përpjekjet për t’u përballur me situatën energjetike.

Aktivizojmë hidro potencialet, motivojmë përdorimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë, si është instalimi i paneleve fotovoltaike – për të cilat kemi lehtësuar procedurat dy ditë më parë, sipas indikacioneve nga kompanitë dhe qytetarët, ndërsa është paraparë edhe mbështetje financiare për konsumatorët e energjisë nga kategoritë e cenueshme të qytetarëve.

Është mirë që në këtë Samit diskutojmë për mundësitë e bashkëpunimit edhe në fushën e energjisë. Ka potenciale për zhvillimin ose rehabilitimin e lidhjeve interkonektuese, për rritjen e mundësive për shkëmbim të energjisë elektrike dhe për bashkëpunim në pjesën e ndërtimit të termocentraleve fotovoltaike, parqeve të turbinave të erës dhe centraleve për marrjen e energjisë elektrike nga biomasa dhe biogazi.

Propozojmë që të vendoset bashkëpunimi ndërmjet bursës së Serbisë të energjisë elektrike dhe operatorit të tregut të organizuar të energjisë elektrike maqedonase (MEMO), me qëllim të përmirësimit të kushteve për tregti ndërkufitare të energjisë elektrike. Ndërsa, në periudhën e ardhshme duhet të intensifikohen aktivitetet për realizimin e interkonjeksionit të gazit me Republikën e Serbisë.

Tanimë kemi nënshkruar marrëveshje për bashkëpunimin në mbrojtjen nga fatkeqësitë për Ballkanin Perëndimor, me qëllim të sigurimit vullnetar të ndihmës në rast të fatkeqësive, në mënyrë që vendet të mund të ndihmojnë njëri-tjetrin, sipas kapaciteteve në dispozicion.

Por, është mirë që në këtë Samit do të nënshkruajmë marrëveshje edhe për një plan operativ për përballje me fatkeqësitë, me të cilin do të mundësojmë lehtësim të procedurave dhe shkurtim të kohës së nevojshme për dërgimin e ndihmave, aty ku është më e nevojshme dhe intensifikim të bashkëpunimit në parandalimin dhe uljen e rreziqeve nga fatkeqësitë.

Me nënshkrimin e Memorandumit të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit në fushën e kinematografisë dhe veprimtarive audiovizuale ndërmjet të tre vendeve, do të inkurajojmë investimet në sektorin e kinematografisë dhe atë audiovizual dhe angazhimin e artistëve dhe profesionistëve të filmit nga Ballkani Perëndimor, gjë që do të lehtësojmë lidhjen mes tyre. Kjo do të mundësojë burime të reja financimi për artistët dhe punonjësit e kulturës.

Kjo lidhje, ashtu siç e bëmë me panairin e djeshëm për prodhuesit e verërave dhe produkteve të distilimit dhe për punonjësit e turizmit – mundëson konsolidimin e ofertës sonë në tregjet evropiane dhe botërore, ndërsa me këtë edhe konkurrencë më të madhe dhe mundësi reale për kontribut në organizimin e ekzistencës së punonjësve dhe qytetarëve të angazhuar, në fusha të ndryshme.

Nëse secili prej nesh individualisht do të bënte një panair të tillë, atëherë ato panaire as nuk do të mbaheshin. Megjithatë, një numër i tillë i ekspozuesve të verës dhe distilateve në një vend është i mundur vetëm nëse të gjithë e bëjmë panairin së bashku.

Nisma e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, Ballkani i Hapur u tregua funksionale dhe evropiane!

Ne zhvillojmë atë përmes politikës së dyerve të hapura, veçanërisht për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, siç janë Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, me synimin e një tregu të vetëm pa kufij dhe integrimin në Bashkimin Evropian.

Kam kënaqësinë që sot këtu janë të pranishëm edhe ministrat e punëve të jashtme të Hungarisë dhe Turqisë dhe shpresoj që shumë shpejt të na bashkohen edhe përfaqësues të Italisë dhe Greqisë.

Por Ballkani i Hapur u tregua i nevojshëm. Jemi dhe do të jemi në bashkëpunim intensiv rajonal, sepse – do të përfundoj ashtu siç e kam nisur: Nëse i përgatisim vetë burimet e energjisë, do të na ngrohë dy herë, siç deklaroi Henri Ford.

Ndërsa nëse arrijmë të jemi të mirë për vete, atëherë sigurisht që do të jemi të mirë për Evropën dhe botën.

Dëshiroj të përfundoj duke adresuar një çështje që e shohim gjatë gjithë verës në kufijtë midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Ne jemi ndoshta i vetmi rajon në botë, veçanërisht në Evropë, që kemi kufij me njëri-tjetrin dhe unë nuk mund ta kuptoja në vitet e kaluara kur përfaqësues të vendeve që nuk kanë kufij me njëri-tjetrin vijnë dhe financojnë projekte për përmirësimin e menaxhimit të kufijve dhe prandaj mendoj se synimi ynë duhet të jetë heqja e plotë jo vetëm e barrierave administrative në kufijtë mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, por edhe heqjen e plotë të rampave dhe krijimin e një rajoni që komunikon 100% me njëri-tjetrin në të gjitha bazat”.

Link nga albumi me fotografi

Link për video me inserte

Link për video nga fjalimi i Kryeministrit Kovaçevski në tërësi

Link për video nga fjalimi i Kryeministrit Kovaçevski në gjuhën maqedonase

Link për video nga fjalimi i Kryeministrit Kovaçevski në gjuhën shqipe