Ganiu: Këtë vit shkollor e fillojmë më të përgatitur se kurrë

Sot 918 nxënës u ulën për herë të parë në bankat mësimore nëpër nëntë shkollat komunale të Çairit.

Shënimin e fillimit të procesit mësimor në Komunën e Çairit, kryetari Visar Ganiu e ndoqi bashkë me ministrin e Arsimit, Jeton Shaqiri, drejtoreshën e Shkollës “Vasil Gllavinov”, Elita Demiri, arsimtarë, prindër dhe nxënës.

Ai informoi se nga sot në shkollat fillore komunale të Çairit mësimin e ndjekin 8.272 nxënës dhe sipas informacioneve që vazhdimisht arrijnë nga drejtorët e shkollave dhe departamenti i arsimit, ky proces ka qenë tejet i mbarë.

“Andaj të dashur nxënës dua vetëm t’ju uroj shumë e shumë suksese në rrugën e diturisë, që është e vetmja rrugë e cila mund të na sigurojë dritën e vërtetë të ardhmërisë. Kuptohet, suksese edhe juve mësimdhënës sepse jeni shtylla e vërtetë që e mbanë të sigurt shoqërinë tonë”, tha Ganiu.

Ai shtoi se këtë vit shkollor po e fillojmë më të përgatitur se kurrë, qoftë përmes kushteve gjithnjë e më të mira mësimore, apo infrastrukturës shkollore.

“Po e nisim me investime dhe punime të realizuara në secilën shkollë tonën komunale – ‘Jashar Bej Shkupi’, ‘Vasil Gllavinov’, ‘Hasan Prishtina’, ‘Liria’, ‘Imri Elezi’, ‘Ismail Qemali’, ‘Kongresi i Manastirit’, ‘7 Marsi’,’Tefejuz’”, tha Ganiu.