Në qoftë se Rusia ka një shpresë për të tejkaluar izolimin ndërkombëtar pas vendimit për pushtimin e Ukrainës, ajo është aleanca me Kinën.

Pekini është një aktor jetik për Moskën, nga pikëpamja ekonomike, si treg nga i cili mund t’i drejtohet për të shitur burimet natyrore që mbajnë ekonominë ruse, por edhe për të furnizuar tregun e brendshëm me ato produkte që nuk do të ishte e mundur të gjenin pas masave të ndërmarra nga vendet perëndimore.

Por regjimi kinez ka patur gjithmonë një qasje me dy fytyra në çështjen ukrainase, ku nga një anë akuzon Perëndimin si shkaktar të reagimit rus, por nga an tjetër kërkon që fushata e Kremlinit të mbyllet sa më shpejt.

“Me Rusinë jemi partnerë, por jo aleatë” ka deklaruar Kina edhe gjatë ditëve të fundit, duke refuzuar gjithmonë çdo ndihmë ushtarake për Vladimir Putin.

Një pozicion pothuajse neutral që nënvizoi sot vetë ministri i Jashtëm, Wang Yi, por çdo ditë e më shumë duket më i ftohtë ndaj vendimit të presidentit rus për mobilizim të pjesshëm dhe për referendumet në zonat e pushtuara.

“Integriteti territorial i çdo vendi duhet të respektohet”, ishin fjalët e Wang në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që shtoi madje se Pekini nuk do t’i shtojë “benzinë zjarrit”, dhe se “ne mbështesim Bashkimin Europian që po përpiqet në mënyrë aktive për paqen”.

Sot ministri kinez u takua me kreun e NATO-s Jens Stoltenberg, dhe ky i fundit deklaroi se “kemi ftuar Kinën për të përdoruar ndikimin e saj mbi Rusinë për të përfunduar luftën”, duke shtuar edhe shqetësimet mbi situatën në Tajvan. Por ky, për Pekinin, është një kapitull totalisht tjetër, ku madje fushata e Putin cilësohet nga kinezët më shumë si një pengesë në realizimin e planeve të tyre, sesa një shtysë.