Deri të enjten do të mund të aplikojnë studentët e Maqedonisë së Veriut për të marrë bursë në vlerë rreth 40 mijë dollarë

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut deri më 15 shtator do të mund të aplikojnë për të fituar një bursë për studime në një nga 100 universitetet më të mira botërore të renditura në Listën e Shangait.

“Edhe pse ka një rritje të ndjeshme të numrit të aplikimeve për konkurset e publikuara për bursa për ciklin e parë, të dytë dhe të tretë të studimeve në institucionet më të larta të arsimit të lartë në botë, ministria, bazuar në analizat shtesë, ka vendosur të mos ndryshohet afati i aplikimit”, njoftojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Ata përkujtojnë se të drejtë aplikimi në konkurset për bursa kanë qytetar të RMV-së të cilët janë pranuar në ndonjë prej 100 universiteteve më të mira në botë, nuk janë shfrytëzues të bursës nga ndonjë dhënës tjetër dhe që kanë arritur një nivel të caktuar suksesi gjatë shkollimit të tyre të paraprak, varësisht nga cikli i studimeve në të cilat janë regjistruar.

Shuma e bursës varet nga vendi dhe universiteti ku kandidati është i regjistruar dhe mbulon koston e regjistrimit deri në maksimum 40.000 dollarë amerikan në vit, pagë mujore dhe kostot e transportit.

Pas përfundimit të studimeve, sipas kontratës së nënshkruar, kandidatët kanë obligim të kthehen në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të punojnë në sektorin publik ose privat për të paktën dyfishin e periudhës së studimit.

Ndryshe, Ministria për Arsim dhe Shkencë deri më 30 shtator do të pranojë dokumentet për të vazhduar marrjen e bursave në Maqedoninë e Veriut për të gjithë nxënësit që kanë qenë përfitues të bursës vitin e kaluar.