Bullgaria dhe Hungaria: Rreziqet e një aleance pro-ruse brenda BE-së

Nga Philip Volkmann- Schluck “Worldcrunch“

Shkronja Z, një simbol tashmë i njohur i mbështetjes për luftën e Putinit në Ukrainë, është shfaqur ditët e fundit në fasadat e godinave të qeverisë bullgare në Sofje. Javën e kaluar, protestuesit ngjitën një shirit të zi në formën e gërmës Z në hyrje të godinës së Ministrisë bullgare të Energjitikës.

Ata po protestonin pas njoftimit të qeverisë së tyre se do të riniste negociatat me Rusinë për importimin e gazit, edhe pse Bullgaria kishte deklaruar që në fillim të luftës mbështetje publike për Kievin, duke ndaluar më pas të gjitha importet energjitike nga Rusia.

“Gazi i Putinit është një kurth!”-shkruhej në një nga pankartat. Këto skena janë bërë gjithnjë e më të zakonshme në kryeqytetin bullgar, që kur qeveria reformiste e drejtuar nga kryeministri Kiril Petkov u rrëzua muajin e kaluar gjatë një mocioni mosbesimi.

Petkov ishte zotuar se do ta luftonte korrupsionin, dhe kishte mbajtur një qëndrim të fortë kundër pushtimit rus. Por qeveria e tij e koalicionit u rrëzua pas vetëm 7 muajsh në detyrë kur një nga aleatët e koaliconit dha dorëheqjen. Vendi drejtohet aktualisht nga një qeveri

e përkohshme nën presidentin pro-rus Rumen Radev.

Por shqetësimet e protestuesve shtrihen përtej akuzës se vendi i tyre do të mbështesë pushtimin rus të Ukrainës nëse rifillon blerjen e gazit nga korporata shtetërore ruse “Gazprom”. Ministri në detyrë i Energjitikës, Rosen Hristov, deklaroi kohët e fundit se

rifillimi i importeve nga Rusia ishte “diçka e pashmangshme”, pasi në të kundërt

vendi nuk do t’i mbijetonte dimrit.

Duke ngjitur shkronjën Z në murin e godinës së Ministrisë së Energjisë, protestuesit janë duke akuzuar qeverinë e tyre se është nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Kremlinit. Me këtë akuzë bien dakord edhe politikanët nga qeveria tashmë e rrëzuar e Petkov.

Dhe për këtë kanë arsye të forta. Qeveria e Petkov, që ishte në pushtet nga dhjetori 2021 deri në gushtin e këtij viti, u zotua që të luftojë kundër korrupsionit shumë të përhapur në Bullgari. Ai e njohu publikun me prova konkrete se politikanët e nivelit të lartë dhe kolegët e tyre kishin marrë për vite me radhë para nga Rusia, gjë që ka ndikuar në vendimet e tyre për ta bërë vendin shumë të varur nga gazi rus.

Këto pretendime çuan më pas në dëbimin e diplomatëve rusë nga Bullgaria nën dyshimin për spiunazh. Moska ishte qartazi e zemëruar. Në prill, Bullgaria ishte krahas Polonisë, vendi i parë i BE-së që e ndërpreu plotësisht furnizimin me gaz nga Rusia.

Në kundërpërgjigje, qeveria e Petkov porositi sasi të mëdha të gazit të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara, dhe e përshpejtoi punën për ndërtimin e një gazsjellësi të ri që synon të transportojë gaz nga Azerbajxhani në Bullgari dhe në pjesën tjetër të Evropës.

Por më pas u shpërbë koalicioni 5-partiak, i udhëhequr nga partia e Petkov “Ne Vazhdojmë Ndryshimin”.Lufta kundër korrupsionit dhe miqësisë midis politikanëve, mafias dhe bizneseve të dyshimta kishte prodhuar shumë kundërshtarë. Në fillim të muajit tetor, Bullgaria do të mbajë sërish zgjedhje të reja, për herë të katërt në më pak se dy vjet.

Vendi ballkanik po përpiqet që të zgjedhë rrugën e tij: të jetë një demokraci pro-perëndimore apo një vend me një nepotizëm shumë të madh dhe prorus. Në këtë situatë rreziqe ka edhe për vetë BE-në. Pasi nëse dëshiron qeveria në Sofje, Bullgaria mund të luajë një rol kyç në furnizimin me energji të Evropës.

Dhe një tjetër problem i mundshëm për Brukselin, është mundësia që Bullgaria të ndjekë shembullin e Hungarisë duke i kundërshtuar sanksionet e ashpra ndaj Rusisë. E megjithatë në dallim nga Hungaria, ku kryeministri Viktor Orban fitoi një mandat tjetër me politikat e tij pro-Putin, opinioni publik në Bullgari është i ndarë.

Dhe kjo do të thotë se gjatë fushatës zgjedhore, politikanët duhet t’i qasen me shumë kujdes çështjes së Rusisë. Bullgaria ka pasur tradicionalisht lidhje të forta kulturore me Rusinë, dhe Kremlini e ka shënjestruar në mënyrë agresive vendin me propagandën e tij të njohur.

Njëkohësisht, qytetarët kanë protestuar edhe kundër korrupsionit dhe nepotizmit, që e ka penguar dhe e ka bërë atë ekonominë më të vogël në gjirin e BE-së. Tihomir Bezlov, analist në Qendrën për Studimin e Demokracisë në Sofje, ka monitoruar prej vitesh opinionin publik dhe ndikimin rus në Bullgari.

Ai thotë se edhe pse pushtimi i Putinit në Ukrainë ka hasur në një “kundërshtim të fortë”

në mesin e popullit bullgar, studimet tregojnë se ndjenjat pro dhe anti-ruse janë “thuajse njëlloj” të përfaqësuara brenda shoqërisë bullgare. Kjo është me siguri arsyeja pse presidenti Radev dhe ministrat në detyrë të zgjedhur prej tij, janë frenuar që të bëjnë deklarata haptazi  pro-ruse.

Bullgaria po dërgon ende në Ukrainë përmes Polinisë municione të epokës sovjetike. Por  analisti Bezlov supozon se kabineti aktual ka “linja komunikimi” me Moskën, të cilat “nuk janë publike”. Kryeministri i rrëzuar Petkov garon për t’u rizgjedhur në detyrë.

Biznesmeni 42-vjeçar ka studiuar në Universitetin e Harvardit në SHBA, dhe ka hyrë në politikë për të luftuar korrupsionin. Gjatë fushatës elektorale, fokusi i tij kryesor nuk është gjeopolitika. Përkundrazi, ai po përqendrohet tek prioritetet thelbësore të partisë së tij: demokracia, vendet e punës, dhe mënyrën se si situata ekonomike ndikon tek qytetarët e zakonshëm, edhe pse kjo ka të bëjë shumë me furnizimin e pavarur me energji.

Gjatë një bisede telefonike që zhvilluam bashkë, Petkov thotë se si që nga dita e parë

në detyrë, qeveria e tij i dha përparësi punës për ndërtimin e një gazsjellësi që do të lidhë Bullgarinë me Gazsjellësin Trans Adriatik, që transporton gaz nga Azerbajxhani përmes Turqisë në Greqi dhe Itali.

Duke nisur nga vitit i ardhshëm, plani është që ky gazsjellës të furnizojë vendet e tjera në Evropën Jugore me gaz të lëngshëm nga Greqia, gjë që sipas ekspertëve do t’i jepte fund monopolit të Rusisë në rajon. Sipas Petkov, qeveria e mëparshme bullgare “e vonoi projektin me vite dhe nxirrte vazhdimisht justifikime të reja se pse nuk ishte përfunduar”.

Por ai thotë se gazsjellësi mund të jetë funksional shumë shpejt. “Ai është kompletuar dhe testuar”- shton ai. Por Ministri i Energjitikës Hristov pohon se ai nuk është ende funksional, dhe se marrëveshjet me Azerbajxhanin duhet të ri-negociohen. Edhe marrëveshja me kompanitë amerikane për gazin e lëngshëm është duke u rishikuar.

Puna përparoi shumë më shpejt për gazsjellësin me një gjatësi shumë më të vogël “Balkan Stream”, që e transporton gazin rus në Hungari dhe Serbi. Ndërtimi mori vetëm 3 vjet dhe ai nisi nga puna vitin e kaluar. “Bullgaria nuk merr asnjë litër gaz nga ai gazsjellës. Ai shërben vetëm për të anashkaluar Ukrainën”- thotë Petkov.

Ish-kryeministri vlerëson se projekti është ndërtuar edhe me 1.5 miliardë euro fonde publike të qeverisë bullgare. Kur partia e tij filloi të riparonte godinat qeveritare në Sofje në fillim të këtij viti, Petkov thotë se u gjet një limuzinë e re në garazhin e një këshilltari të paraardhësit të tij, kryeministrit Bojko Borisov, që ishte paguar nga kompania ruse që drejton gazsjellësin.

“Ajo është makina më e shtrenjtë në të gjithë Bullgarinë. Dhe u kushtoi taksapaguesve tanë 1.5 miliardë euro për këtë gazsjellës tërësisht të padobishëm për ne”- shton Petkov.Sipas sondazheve, partia reformiste e Petkov është kokë me kokë me partinë GERB të Borisov. Por secila nga partitë ka vetëm rreth çerekun e votave. Pjesa tjetër është e ndarë në të gjithë spektrin politik, mes partive të vogla reformiste, socialistëve dhe aleancave që janë haptazi anti-perëndimore.

“Nëse qeveria e ardhshme shkatërron gjithçka për të cilën Petkov ka punuar, dhe lejon që Bullgaria të jetë edhe një herë në varësinë e madhe të Gazprom, kjo do të kishte pasoja të mëdha për Evropën”- thotë eksperti bullgar Jakub Bielamowicz, analist në Institutin Evropa e Re.

Ai dyshon se qeveria reformiste do ta kishte më të lehtë qeverisje, nëse lufta në Ukrainë nuk do të kishte shkaktuar një polarizim kaq të madh të opinionit publik në Bullgari. Tani BE-ja po përballet me perspektivën e një aleance të mundshme midis Sofjes dhe Budapestit, e cila mund të bllokojë sanksionet kundër Moskës.

“Nuk ka të ngjarë që Bullgaria të jetë po aq hapur pro-ruse sa është aktualisht Hungaria. Por qeveria në Sofje mund të gjejë me siguri mënyra për të vonuar apo penguar masat”- thotë Bielamowicz. Dhe kjo është pikërisht ajo që nuk i duhet as BE-së dhe as Ukrainës./abcnews.al/