Besimi-Kamer: Për ekonomi të qëndrueshme, reformat e financave publike duhet të vazhdojnë edhe në kohë krize

Reformat në financat publike duhet të vazhdojnë paralelisht me politikat për t’u ballafaquar me sfidat aktuale të presioneve globale të çmimeve dhe krizës energjetike. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet qëndrueshmëria dhe zhvillimi i ekonomisë në periudhë afatmesme dhe afatgjate. Kjo u theksua në takimin e delegacionit të kryesuar nga ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe guvernatorja, Anita Angellovska Bezhoska, me drejtorin për Evropë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Alfred Kamer dhe nëndrejtoreshën për Hemisferën Perëndimore të FMN-së, Julie Kozak, i cili u zhvillua në suaza të takimit vjetor të Konstituencës holandeze të FMN-së dhe Bankës Botërore, pjesë e së cilës është edhe vendi ynë. Takimi vjetor mbahet në Sarajevë – Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, në këtë takim theksoi se Ligji i ri sistemik për Buxhetet (Organic Nudget Law), i cili është në përputhje me rekomandimet e FMN-së dhe BE-së është në fazën përfundimtare të miratimit. Ky ligj i cili do të sjellë risi në financat publike – si Këshilli fiskal dhe rregulla, Sistemi i integruar, buxhetimi afatmesë, pritet që të miratohet nga Kuvendi gjatë muajit shtator, me konsensus të gjerë, duke pasur parasysh rëndësinë e tij. Në këtë takim, u theksuan impenjimet sa i përket ruajtjes së stabilitetit makroekonomik të vendit.

Në këtë drejtim është edhe konsolidimi fiskal i planifikuar afatmesëm, si dhe përkrahja e mëtejshme e rritjes ekonomike përmes investimeve publike, duke përfshirë edhe ndryshimin e strukturës së buxhetit në interes së rritjes së investimeve. Kjo parashikohet edhe me Planin për qëndrueshmëri fiskale dhe rritje ekonomike për periudhën 2022-2026. Me këtë plan, parashihen masa për konsolidimin fiskal përmes racionalizimit të kostove të caktuara, si dhe masa për përmirësimin e arkëtimit të tatimeve. Në këtë kontekst është edhe reforma tatimore, e cila duhet të sigurojë përfshirje më të drejtë të obliguesve tatimorë përmes heqjes së lirimeve dhe trajtimit preferencial. Në vijimësi, Plani do të sigurojë ekonomi në rritje dhe të qëndrueshme, parashikimin e masave për sigurimin e konsistencës afatgjate në politikat qeveritare, si dhe krijimin e indikatorëve shumëvjeçarë për vlerësimin e efekteve afatgjate të projekteve të financuara nga buxheti.

Në lidhje me situatën aktuale, në takim u theksua se lufta në Ukrainë sjell pasiguri të madhe në periudhë afatshkurtër dhe sipas kësaj, gjendja duhet të monitorohet dhe duhet të merren masa konkrete. Ministri Besimi, theksoi se që në fillim të krizës në muajin mars qeveria miratoi pako të masave antikrizë në vlerë prej 400 milionë eurosh, ndërsa së shpejti do t’i prezantojë edhe masat e reja të targetuara. Në nivel global, në periudhë afatmesme, pritet stabilizimi i zinxhirëve të furnizimit dhe përshpejtimi i aktivitetit ekonomik, me ç’rast do ta reflektojë ekonominë vendase në mënyrë të favorshme si ekonomi jashtëzakonisht të hapur.