Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ministrat e jashtëm të bllokut janë pajtuar të vazhdojnë dhe të rrisin mbështetjen e tyre ushtarake për Ukrainën dhe të shqyrtojnë një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, që synojnë individë sektorë të caktuar të ekonomisë ruse.

Borrell u tha gazetarëve të mërkurën vonë pasi organizoi një takim të posaçëm ministror në Nju Jork se hollësitë e paketës së sanksioneve ende duhet të përcaktohen nga përfaqësuesit e BE-së, por është i sigurt se do të ketë mbështetje të njëzëshme.

Ai tha se ishte e rëndësishme që ministrat të takoheshin dhe të dërgonin një “mesazh të fuqishëm” në të njëjtën ditë kur presidenti rus Vladimir Putin njoftoi mobilizimin e pjesshëm të rezervistëve ushtarak të vendit të tij dhe se Putini “po përpiqet të shkatërrojë Ukrainën”.

Borrell tha se përveç “vuajtjes së madhe që shkaktoi agresioni rus mbi popullin ukrainas, Rusia ka zgjedhur të zgjasë më tej koston e luftës edhe për popullsinë e saj ruse”.

Ai tha se referenca e dukshme e Vladimir Putinit për gatishmërinë e Rusisë për të përdorur armët bërthamore nëse është e nevojshme për të mbrojtur veten, paraqet “një përpjekje të papërgjegjshme dhe cinike për të penguar mbështetjen tonë të palëkundur ndaj Ukrainës”.

“Këto kërcënime rrezikojnë në një shkallë të pashembullt paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha zoti Borrell. “Por ato nuk do të lëkundin vendosmërinë tonë. Ato nuk do të lëkundin vendosmërinë tonë, unitetin tonë për t’i qëndruar pranë Ukrainës dhe mbështetjen tonë gjithëpërfshirëse për mundësitë e Ukrainës për të mbrojtur tërësinë tokësore dhe sovranitetin e saj për aq kohë sa është e nevojshme”.

Presidenti Putin tha në një fjalim televiziv të mërkurën se mobilizimi i rezervistëve, që pasoi sukseset e Ukrainës në një kundërofensivë në pjesën verilindore të vendit, është i nevojshëm për të mbrojtur atdheun dhe sovranitetin e Rusisë.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se ushtria do të thërrasë 300,000 rezervistë nën armë.

Presidenti Putin tha se perëndimi po përpiqet të dobësojë dhe shkatërrojë Rusinë dhe se vendi i tij “do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë”.

Ai gjithashtu përsëriti se qëllimi i Rusisë në agresionin e saj tashmë shtatëmujor në Ukrainë është të “çlirojë” rajonin lindor të Ukrainës Donbas, duke thënë se njerëzit atje nuk duan të jenë pjesë e Ukrainës.

Udhëheqësit separatistë të rajoneve të kontrolluara nga Moska, Luhansk dhe Donetsk në Donbas, thanë të martën se po planifikojnë të mbajnë votime duke filluar nga e premtja që këto territore të deklarohen si pjesë e Rusisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy hodhi poshtë ato që ai i quajti “përpjekje të Rusisë për të organizuar referendume të reja të rreme”./VOA