A do të merren vesh për 100 eurot Kurti dhe Jasharaj?

09:43 – 20 ditë nga fillimi i grevës, a do të merren vesh për 100 eurot Kurti dhe Jasharaj?

Greva në arsim sot ka hyrë në ditën e 20-të teksa pikërisht në këtë ditë po mbahet edhe takimi i shumëpritur në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në përpjekje për ta zgjidhur ngërçin.

Pas disa takimeve, gjatë ditës së premte, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura dhe Sindikata e Arsimit dha sinjale se gjatë vikendit mund të arrihet një marrëveshje. Por, gjithçka ndryshoi të shtunën kur edhe gjuha mes tyre mori tjetër kahje, njofton Klankosova.tv.

Institucionet e sindikatave të arsimit bën të ditur se do të qëndrojnë në kërkesën prej 100 eurove për të gjithë punëtorët deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga, pasi sipas tyre kjo është kërkesë e gjithë anëtarësisë – pasi të njëjtit nuk janë pajtuar me 50 eurot e pakos së re nga Qeveria, që parashihet për katër muaj, njofton Klankosova.tv.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, deklaroi se gjendja aktuale më shumë është shantazh dhe se përball shantazhit nuk ka rrugë tjetër përveçse të qëndrojnë për vlerat anti-shantazh.

Gjatë gjithë këtyre ditëve të grevës ekspertët e SBAShK-ut kanë deklaruar se nuk ka zëvendësim të orëve të humbura, për këtë çështje në krahë ju doli edhe Këshilli i Prindërve që kanë thënë se do të bojkotojnë zëvendësimin e orëve të humbura pas përfundimit të Grevës. Mirëpo, ministrja Nagavci këmbëngul që orët e humbura janë në dëm të fëmijëve dhe se duhet të zëvendësohen.

Por, gjatë ditës së djeshme për grevën në arsim u mblodhën edhe pensionistët e Kosovës, ata kërkuan që nipat dhe mbesat e tyre sa më shpejt të kthehen në mësim dhe greva duhet të përfundojë.

Ata, mes tjerash, grevat i konsideruan me prapavijë politike teksa bën thirrje që dialogu mes Qeverisë dhe SBAShK-ut duhet të vazhdojë, njofton Klankosova.tv.

Sipas tyre nuk është e pranueshme që fëmijët të përdoren si mjet shantazhi.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ditë më parë deklaroi se mes Qeverisë dhe Sindikatave janë zhvilluar 30 takime, teksa mungon arsyeshmëria e kërkesës prej 100 eurove shtesë dhe gatishmëria e tyre për të ecur përpara.

Mes tjerash, Kryeziu bëri të ditura edhe numrin e saktë të takimeve mes përfaqësuesve të grevistëve dhe disa ministrave.

“Deri tani, kryeministri Kurti, zëvendëskryeministri i parë dhe shefi i stafit të kryeministri janë takuar të paktën dhjetë herë me kryetarin e BSPK, z. Atdhe Hykolli. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka mbajtur katër takime me përfaqësues të sindikatave, përfshirë BSPK. Ministri i Shëndetësi, Rifat Latifi të paktën katër takime me përfaqësues të degëve sindikale, përfshirë BSPK. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pasur gjashtë takime me sindikatat e Policisë, Zjarrfikësve, Infermierëve e Arsimit. Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arberi Nagavci tetë herë është takuar me përfaqësuesit e SBAShK-ut”.

“Gjithsej janë zhvilluar mbi 30 takime ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave. Pra komunikim ka pasur. Takime ka pasur. Pjesa më e madhe kërkesave sindikale janë adresuar ose janë duke u adresuar. Mungon arsyeshmëria e kërkesës për 100 euro shtesë dhe gatishmëria nga sindikatat për ecur përpara”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.