287,000 euro operacione plastike? Monika Kryemadhi: Edhe seksin të kisha ndryshuar, s’do kisha paguar aq!

Deputetja Monika Kryemadhi ka mohuar akuzën e çuar në SPAK nga avokati Idajet Beqiri, për 287 mijë euro shpenzime për trajtime estetike në një klinikë në San Marino.

“Edhe seksin ta kisha ndryshuar nuk do kisha paguar kaq shumë lekë…” Kështu u shpreh Monika Kryemadhi mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion”. Përgjigja e shkurtër erdhi pasi gazetari Blendi Fevziu e pyeti se çfarë ndërhyrjesh kishte bërë.

Më tej, ajo tregoi se në klinikën private ka bërë ndërhyrje për zemrën dhe kancerin e qafës së mitrës. Sipas Monika Kryemadhit, të dhënat e depozituara nga avokati kanë kode bankare që i përkasin një servisi në Romë dhe jo spitalit në San Marino.

Kryemadhi: Zoti Fevziu, ju jeni çun Tirone dhe të gjitha gratë e dinë mjaft mirë, që nuk kushton asnjë mirëmbajtje as shëndetësore, as estetike në atë vlerë.

Edhe Kardashian të jesh nuk kushton aq para. A e dini që Swifti që ato kanë përdorur është një servis në Romë dhe jo klinika në San Marino.

Fevziu: Ju nuk qenë në atë klinikë?

Kryemadhi: Unë kam qenë në klinikë…

Fevziu: Në datën që flitet?

Kryemadhi: Absolutisht! Është përdorur swifti  i një servisi në Romë. Swifti i klinikës ku unë kurohem për probleme kardiologjike dhe kancerin e qafës së mitrës është një swift tjetër.