Rasti “Monstra”, Raufi: Apeli shkel të gjitha afatet e aktvendimit

Gjykata e Apelit po shkel të gjitha afatet ligjore sa i përket publikimit të aktvendimit për rastin “Monstra”. Që nga seanca publike e mbajtur më 18 mars të këtij viti kanë kaluar pothuajse 5 muaj, që ka kaluar kufirin ligjor prej maksimim 60 ditëve.

Zvarritja e vazhdueshme e këtij rasti që ka mbush plotë 10 vite nga vrasja e pesfishtë, sipas avokatit mbrojtës Naser Raufi, ka ndonjë prapavijë e cila mund të ruhet për ndonjë skenar të mundshëm.

“Sipas meje, një prej arsyeve mund të jetë se ndoshta përdoret edhe më tutje ky rast për momente politike, për ndonjë defokusim të opinionit, unë këtë e shof si arsye se pse zvarritet. Sipas nenit 406 të Ligjit për procedurën penale, afati për këtë vendim prej seancës ankimore ka qenë prej 15 deri 60 ditë maksimumi, por për rastet e komplikuara. Ky rast është në këtë kategori të rasteve të komplikuara, por kaluan 3 muaj prej atij afati ligjorë dhe s’kemi asgjë. Duke pasur parasysh se është verë dhe pushime nuk besoj se do të mundet para shtatorit, pra i kemi 6 muaj të sigurta që nuk ka vendim” – tha Avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Raufi nuk pret ndonjë vendim ndryshe nga Gjykata e Apelit se ai që solli gjykata e shkallës së parë.

“Sipas informatave që unë i kam, ka mundësi edhe të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë. Duke marrë parasysh edhe më herët se si punon Gjykata e Apelit, vërtetoi edhe për persona që në ndërkohë u liruan nga akuza. U tregua se Gjykata e Apelit praktikisht edhe nuk i analizon fare këto raste që janë më të vërtet raste të komplikuara dhe sensitive” – u shpreh Raufi.

Mos respektimin e Ligjit, Raufi thotë se do ta ankimojë tek ndërkombëtarët dhe tek Ministria e drejtësisë. Seanca publike në Gjykatën e Apelit në mars të këtij viti, edhe përkundër vullnetit të të akuzuarve u mbajt pa prezencën e avokatëve mbrojtës.

Për rastin “Monstra” akuzohen 5 persona, tre prej të cilëve me burg të përjetshëm.