Politikani i ri që po e sfidon partinë e Goran Rakiqit: Qytetarët në veri janë të frikësuar nga Lista Serbe

Qytetarët në veri të vendit janë të frikësuar e të tmerruar. Kjo për shkakun se ata po kontrollohen nga një parti politike, e njohur si Lista Serbe.
Kështu thotë politikani i ri Aleksandar Arsenijeviq nga Iniciativa “Mbijetesa Serbe”.

Ai para vetes ka një mision të vështirë, që ta sfidojë këtë subjekt politik i cili ka ndikim të madh tek serbët e Kosovës.

Arsenijeviq, është nga të rrallët serb që guxon të flas kundër Listës Serbe.

“Qytetarët e veriut të Kosovës nuk janë të lirë sepse liria e tyre po diktohet nga Brukseli dhe aktorë e parti politike si, në këtë rast, Lista Serbe. Në këtë mënyrë ata duan të sigurojnë që privilegjet e tyre të ruhen dhe ti ndajnë ato me disa homologët të tyre shqiptarë, flasë për politikanë. Lista Serbe ka një kontroll të fortë mbi qytetarët, të cilët nga ana tjetër nuk kanë asnjë përfitim nga vetë Lista. Serbët e Kosovës në veri kanë shumë arsye për t’u frikësuar. Edhe Prishtina edhe Beogradi po u dërgojnë qytetarëve të veriut mesazhe të errëta dhe të paqarta”, tha ai për Tëvë 1.

Arsenijeviq, thotë se serbët në veri nuk po kuptojnë asgjë nga dialogu, sepse nuk po mbahen të informuar.

Sipas tij, të vetmit që përfitojnë nga kjo situatë janë pjesëtarët e Listës Serbe.

“Të vetmit që po fitojnë në këtë lojë janë politikanët. Për më tepër, populli i thjeshtë, serbët e veriut, në fakt nuk dinë asgjë për fatin që po u përgatitin politikanët në Bruksel. Ky është faji kryesor i Listës Serbe, sepse për hir të një qasjeje të tillë, ata bëjnë gjithçka për të arritur pozita më të mira politike në Qeverinë dhe Parlamentin e Kosovës, dhe qeveritë lokale. Kjo vlen edhe për xhepat e tyre, të cilët po thellohen gjithnjë e më shumë, ndërsa privilegjet e tyre janë më të forta se kurrë”, shtoi ai.

Në fund Aleksandar Arsenijeviq, thotë se do të vazhdojë të luftojë për një shoqëri më të hapur në Mitrovicën e Veriut, dhe se nuk ndihet i frikësuar nga kërcënimet që mund të vijnë nga Lista Serbe.