Hamdi Nuhiju

Kampanja e zgjedhjeve lokale në Tetovë ka nisur që të marr kahe ndryshe! Sikur diçka është gabim, nuk shkon, e shoh edhe prej te qasja dhe funksionimi i partive politike shqiptare.

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi në një intervistë për një portal i bëri thirrje tetovarëve që të mos votojnë partitë politike shqiptare që janë në koalicion me VMRO-DPMNE-në dhe Levicën e Apasievit. Personalisht nuk njoh ndonjë parti politike shqiptare, përveç opozitës shqiptare që është në koalicion me VMRO-DPMNE-në dhe partinë e Apasievit. Madje në një shkrim të pronarit të Agjencisë së Lajmeve Zhurnal, Bexhet Musliut, ngriteshin dilemat në lidhje me atë se opozita shqiptare a po i le terren VMRO-DPMNE-së në Tetovë. Tezat e Musliut ngriteshin te oferta që kryetari aktual i Tetovës i ka bërë opozitës shqiptare për të garuar bashkë në zgjedhje. Dhe refuzimit të palogjikshëm të këtij subjekti të asaj oferte te majme. Sipas këtyre tezave, parashtrohej dilema a po i le hapësirë opozita shqiptare VMRO-DPMNE-së në Tetovë, ose më saktësisht Apasievit që solidarizohej me kriminelët në veri të Kosovës?

Sikur Menduh Thaçi ti drejtohej Bilallit dhe ti thonte mos bën koalicion me VMRO-DPMNE-në, do të ishte në rregull! Por, mesiguri nuk ka pasur hapësirë për t`i bërë një thirrje të këtillë. Prandaj rruga u bë “Pinxhur”! Strasho Pinxhur! Simbol i një bashkëjetese nënçmuese, me 100 % të popullsisë shqiptare dhe me emër rruge të një të panjohuri sllav!

Nuk mund t`i ikim konventave. Sidomos konventës më të rëndësishme, asaj të opozitës shqiptare. Tek to njerëzit shohin shpresën! Ende sot e kësaj dite nuk e kam gjetur ilaçin e çiftëzimit të numrave. Por e dimë të gjithë saktë numrin 67. Edhe gomistët, kamarierët, taksistët, bodibillderët që i rrasin hundët ngapak edhe në PR dhe poezi, të gjithë. Boll u mundova ta rris atë numër. Mjaftueshëm isha i sinqertë me veten për të gjetur luanët e asaj mbrëmje. Dolën mace. Kanë filluar ngapak të grithen. Madje edhe po rimojnë.

Asnjë subjekt politik shqiptarë në zgjedhjet lokale në Tetovë nuk është duke bërë rima më shumë se opozita shqiptare. Por një rimë i doli huq! E panë veten në pasqyrë i doli luan, në rimë i doli Teutë. Teutëë, pse ikee! Kështu tingëllonin mjaullimat e kësaj rime.

Tregoni dikush se gabim e kanë luftën këta të selisë numër 67! Teuta ka muaj që nuk është kryetare e Tetovës, tash është Bilall Kasami!

Në Konventën e Alternativës, opozitës shqiptare iu parashtrua një pyetje. E prishën koalicionin me Alternativën për t`u bërë me Bilall Kasamin, a gabuan në dy rastet? Përgjigjen ato mesiguri vet e dinë.

Dhe për fund të këtij vështrimi ditor, ti kthehem pak edhe sloganit Jepi zë rinisë. Prej 67 të pranishmëve në konventën e opozitës shqiptare vetëm 14 të rinj! Filiz, të papërdorur, të njomë dhe me vullnet.

Numri 67 është simbol tepër i rëndësishëm për opozitën shqiptare, prandaj i sugjeroj që ta ndërrojnë sloganin, ta bëjnë 67 gërsheta. Dhe ashtu me aromë lulesh, të dalin nëpër Tetovë në këtë verë të nxehtë t`ia largojnë të nxehtin veturave të parkuara keq!

Katandisja nuk ka tjetër emër! Keq! Boll keq! Tepër keq! Billderave i sugjeroj që ta mbajnë fjalorin me veti këto ditë, do të mësojnë fjalë të reja dhe simbolika. Së paku të mësojnë diçka.