Në “Ferrin” afrikan, zjarri shkrumbon autobusin me njerëz dhe lë pas pamje apokaliptike

Një zjarr me përmasa të mëdha shpërtheu me shpejtësi në një rezervat me kafshë të egra në Algjeri, duke u marrë jetën të paktën 38 persona, 12 prej të cilëve ishin në një autobus kur automjeti u përfshi nga flakët.


I ndikuar nga thatësira, temperaturat e larta, zjarri u përhap me shpejtësi të jashtëzakonshme duke mos i dhënë asnjë mundësi personave që ndodheshin në atë zonë të shmangnin flakët.

Shkatërrime masive me pamje apokaliptike kanë ndodhur në rajonin El Tarf pranë kufirit lindor me Tunizinë, ku temperaturat arrijnë deri në 48 gradë celsius.

Një familje prej 5 anëtarësh ishin mes viktimave, ndërsa të paktën 200 të tjerë kanë pësuar djegie dhe asfiksi si pasojë e tymit.

“Ishte një tornado zjarri që shkrumboi gjithçka brenda sekondash. Shumica e viktimave mbetën të rrethuar pa mundësi shpëtimi, ndërsa kishin shkuar të vizitonin rezervatin me kafshë të egra”, u shpreh një gazetar për AFP.