KFOR-i shton patrullimet në veri të Kosovës

KFOR-i ka shtuar praninë e tij në venkalimet Jarinje dhe Bërnjak në veri të Kosovës, si dhe patrullimin në zonë.


Zyra për Marrëdhënie me Publikun e KFOR-it tha për Kosovo Online se masat janë marrë në mënyrë që të ketë një përgjigje ndaj të gjitha sfidave të sigurisë.

“Dëshirojmë t’i sigurojmë të gjithë se KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë nëse është e nevojshme. Për të kryer detyrat e veta, KFOR-i mban një qëndrim të dukshëm dhe të shkathët në terren”, theksohet në përgjigjen e dhënë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të mbajë takime të ndara në Bruksel këtë të mërkurë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Këto takime do të mbahen vetëm një ditë para raundit të ri të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Takimet vijnë në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, pasi serbët lokalë vendosën barrikada për të kundërshtuar dy vendime të qeverisë që kishin të bënin me dokumentet dhe targat serbe.

Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe kryeministri Kurti u zotua se do të shtyjë për një muaj zbatimin e këtyre dy vendimeve.