Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia që çliroi eksportin e drithit ukrainas të bllokuar prej muajsh nga ushtria ruse pati ndikim të drejtpërdrejtë në reduktimin drastik të çmimit të ushqimeve.

Të dielën katër anije të tjera që transportonin drithëra dhe ushqime u nisën nga portet ukrainase të dielën.

Organizata për Bujqësinë dhe Ushqimin FAO pranë Kombeve të Bashkuara njoftoi një rënie me 8.6% të Indeksit mujor të çmimeve të ushqimeve në gjithë botën gjatë muajit Korrik.

Bëhet fjalë për reduktimin më të madh mujor që prej vitit 2008. Ky indeks arriti kuotën e 140.9 pikëve në Korrik dhe kjo përbën rënien e katërt mujore radhazi. Sipas kësaj organizate, marreveshja që garantohet nga pala turke për eksportet e grurit po jep sinjale pozitive sidomos për ato vende që po vuajnë nga kriza e urisë.

Megjithatë, ekspertët thonë se tregu global i ushqimeve vijon të mbetet i mbërthyer nga pasiguritë, për shkak të presionit të çmimit të plehërave kimikë, prodhuesi më i madh i të cilëve është Rusia. Indeksi i Çmimeve të Ushqimit bazohet në çmimet globale për 23 kategori të mallrave ushqimore që mbulojnë 73 produkte të ndryshme.