Barcelona ka zhgënjyer tifozët në ndeshjen hapëse të La Ligës ku ka barazuar me rezultat 0-0. Disa gola të anuluar dhe një karton i kuq për Sergio Busquets e përcollën Barcelonën gjatë ndeshjes së tyre të parë për këtë sezon

Nuk ka fitore për Barcelonën.

Blerjet e reja të skuadrës katalunase nuk kanë arritur ta thyejnë mbrojtjen e fortë të skuadrës së mbrojtësit shqiptar, Ivan Balliu, duke barazuar me rezultat 0-0.

Lewandowski shënoi një gol në minutën e 13-të të ndeshjes por që ai u anulua për shkak së polaku ishte në pozitë të thellë jashtë loje.
Mysafirët do të rrezikonin seriozisht ter Stegen në minutën e dy shtesë të pjesës së parë por gjermani priti goditjen e Alvaro Garcias.

Pjesa e parë do të përfundonte me këtë rast që ishte më seriozi, me Barcelonën që nuk arrinte ta thyente mbrojtjen e mysafirëve.

Sergio Camello (‘52) rrezikoi përsëri ter Stegen por ishte prapë gjermani që shpëtoi Barcelonën nga goli i sigurt.

Deri në minutën e 75-të nuk pati më raste, teksa në këtë minutë Lewandowski kërkonte penallti por ashtu nuk mendoi gjyqtari.

Polaku për pak sa nuk shënoi në minutën e 82 pasi shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes së Vallecanos.

Pierre Emerick – Aubameyang (’84) po ashtu ishte afër që të shënonte gol por goditja e tij u bllokua nga mbrojtësit.

Kessie do të shënonte një gol në minutën e 88-të, por gjyqtari anësor sinjalizoi për pozitë jashtëloje.

Protestat e shumta të Sergie Busquets bën që ai të ndëshkohet me kartonin e kuq, pas dy kartonëve të verdhë, duke u larguar nga fusha në minutën e tretë shtesë të ndeshjes.

Salvi Sanchez dridhi zemrat e më shumë së 80 000 tifozëve në Camp Nou pasi shënoi gol në minutën e 5-të shtesë, por edhe ky gol u anulua nga gjyqtarët.

Në fund, ndeshja përfundoi pa gola, me Barcelonën që do ta kërkojë fitoren kundër Real Sociedad në ndeshjen e ardhshme.