Atentati ndaj Klisman Preçit dhe Ylli Brahimit, SPAK merr në dorë çështjen, pistat ku po hetohet

Miloti u trondit mbrëmjen e 22 korrikut nga një atentat mafioz me një viktimë dhe një të plagosur.

Breshëria e plumbave la të vdekur 27-vjeçarin Klisman Preçi, ndërsa biznesmeni Ylli Brahimi u plagos rëndë.

Pothuajse një muaj pas atentatit SPAK ka marrë në dorë çështjen.

Prokuroria e Kurbinit e klasifikoi atë si një atentat të kryer nga një grup kriminal.

Dosja është tërhequr një javë më parë, dhe veprimet po kryhen nga prokurori i SPAK, Altin Dumani.

Lexo edhe: Brahimi i druhej atentatit? Lëvizte me fuoristradë të blinduar me targa të Shkupit, si ia dolën autorët të ekzekutonin 27-vjeçarin
SPAK po kalon në sitë të gjithë kundërshtarët e Ylli Brahimit që besohet se ishte shënjestër e atentatit. Brahimi, mik i Ervis Martinajt, udhëtonte me një makinë të blinduar, ndërsa ra pre e atentatit, por fatmirësisht arriti t’i mbijetonte plumbave.

Bëhet fjalë për një grup shumë të fuqishëm kriminal në zonën e Laçit, sipas News 24, dhe dyshohet se ngjarja ka ndodhur për prishje të pazareve në aktivitet e tyre kriminale kohëve të fundit.

Klisman Preçi dhe biznesmeni Ylli Brahimi u qëlluan me 100 plumba teksa ishin duke qarkulluar me një mjet tip “Toyota” e blinduar, e cila është ndjekur nga pas nga atentatorët.

Pasi i bllokuan lëvizjen automjetit me targa të Shkupit, autorët që mbanin kapele në kokë kanë zbritur nga makina e tyre dhe kanë qëlluar në drejtim të fuoristradës ku ndodheshin Preçi dhe Brahimi. Pasi kanë parë se plumbat nuk po e përshkonin mjetin, një nga autorët e ka ndjekur dhe pasi është futur në rrugicë, ka qëlluar në hyrje të pallatit.

Breshëria e plumbave kapi fillimisht Klisman Preçin, i cili humbi jetën, ndërsa Ylli Brahimi arriti t’i shpëtonte edhe këtij atentati. Biznesmeni i ka shpëtuar një atentati të ngjashëm edhe në vitin 2021./Abcnews.al/