Aksion parandalues “Vozit i çlodhur”: Lodhja mund të jetë fatale për vozitësit

Ministria e Punëve të Brendshme, Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor dhe Fakulteti i Sigurisë kanë vazhduar sot aksionin parandalues ​​”Vozit i çlodhur” në autostradën “Miqësia”.


Lodhja është një nga arsyet kryesore për shkaktimin e aksidenteve në komunikacion gjatë periudhës së verës, dhe këto aktivitete parandaluese janë të fokusuara kryesisht në pjesën nga vendkalimi kufitar “Tabanoc” deri në pikën kufitare “Bogorodica”, ku në periudhën e verës rritet numri i automjeteve duke kaluar nëpër këtë korridor, thonë nga MPB-ja dhe theksojnë se KRSKRR, MPB dhe Fakulteti i Sigurisë – Shkup vazhdojnë me aktivitetet nga fushata verore “Vozit i çlodhur”.

“Kujtojmë se është përgjegjësi e drejtuesve të automjeteve që të jenë plotësisht të përgatitur, të pushuar dhe të përqendruar gjatë drejtimit të automjetit, të përshtaten me kushtet e rrugës dhe të kontrollojnë korrektësinë teknike të automjetit. Prandaj apelojmë që të respektojnë rregullat dhe dispozitat e qarkullimit rrugor, drejtuesit e automjeteve të respektojnë shpejtësinë e rekomanduar, të mos ngasin makinën nën ndikimin e alkoolit, të mos nënvlerësojnë lodhjen, të planifikojnë kohën e udhëtimit, të bëjnë pushime më të shpeshta jashtë automjetit, të udhëtojnë të pushuar. Vozisni të çlodhur, vozisni të sigurt”!, tha kryetarja e KRSKRR-së, Gordana Kozhuvarovska.

Zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski thekson se shoferët nuk duhet ta nënvlerësojnë lodhjen, sepse mund të ketë pasoja fatale.

“Pikërisht për këtë realizohen aktivitete të tilla parandaluese, për t’u kujtuar drejtuesve të automjeteve pasojat e mundshme të mosrespektimit të rregullave. Përmirësimi i sigurisë në trafik është i domosdoshëm për ne. Ministria e Punëve të Brendshme e ka treguar këtë përkushtim edhe në vitet e fundit, kur si rezultat i fushatave parandaluese dhe kontrolleve të intensifikuara të veprimit, kemi një rënie të vazhdueshme të numrit të viktimave në aksidente. Vitin e kaluar 2021 ka pasur 116 viktima dhe ky është viti me numrin më të ulët të viktimave në trafik në 15 vitet e fundit”, theksoi Angelovski.

Ai bën të ditur se të dhënat e shtatë muajve të parë të vitit 2022 tregojnë se trendi i uljes së numrit të viktimave në aksidente trafiku vazhdon edhe këtë vit.

“Në shtatë muajt e parë të vitit 2022 janë 61 viktima, që është për 19 më pak në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur ishin 80”, tha zëdhënësi i MPB-së Toni Angelovski.