Shkruan: TetovaSot

Që të formosh “Akademinë Shqiptare” gjëja e parë duhet të kesh Akademikë me plot kuptimin e fjalës, pra siç thonë me njerëz të një niveli të lartë teorik, shkencor e artistik, që u përgjigjet kërkesave me të përpunuara e të rrepta të një fushe dhe jo figura të konsumuara nga ish sistemi ose njerëz që i ka lodhur rëndë bagazhi i “politikbërjes” së bashku me struktura antishqiptare në fillim vitet e demokracisë, por që duan të rikthehen në skenë në një mënyrë ose një tjetër vetëm se kësaj radhe kanë gjetur një terren të ri përmes të ashtuquajturës “Akademi shqiptare” që mbase vetëm e tillë mund të mos jetë.

Kur i sheh ideatorët lind dyshimi përse në këtë kohë dhe a vërtetë bëhet fjalë për “Akademinë Shqiptare” apo duan të krijojnë “Akademinë politike” mes miqsh të dikurshëm që dehja për pushtet i bëri të harrojnë çështjet shqiptare kur bartnin funksione të larta shtetërore. Janë i njëjti grup njerëzish që kanë bagazh të keq politik dhe që përmes tyre më shumë kanë përfituar maqedonasit se sa shqiptarët.

Ajo që bie në sy është fakti që në skenë pas kaq kohësh kanë filluar të shfaqen disa ish politikanë të kohës së Gligorovit, të Cërvenkovskit, ish PPD-istë disa prej të cilëve kanë akoma funksione ndërsa disa të tjerë gjithçka mund të jenë por akademikë s’mund të bëhen kurrë edhe nëse kanë titullin që një Zot e di si e kanë atë. Kur kësaj i shton edhe përkrahjen që njerëz të afërt i japin njëri-tjetrit, atëherë kjo e bën akoma më të dyshimtë këtë nismë.

Si në sinkron gjërat janë të ndërlidhura njëra me tjetrën që shpërfaqin lidhjet mes politikanëve të caktuar dhe të ashtuquajturve akademikë që kanë po ashtu lidhje të forta me struktura maqedonase. “Akademia Shqiptare” pa ta, do ishte një ide e shkëlqyer, por me ta, është më shumë se e tmerrshme, për ta dëgjuar si nismë mes dyshimesh pafund vetëm kur sheh emrat e tyre në të shkuarën. I pari që bëri zë, ishte ai i fundit që duhej të fliste për këtë si Abdylmenaf Bexheti dhe i fundit që pranoi këtë nismë në kohë fushate ishte Bilall Kasami një lidhje familjare me Abdylmenaf Bexhetin i cili të premten në sallën e Këshillit Komunal në Tetovë, së bashku me përfaqësuesit e Shoqatës Akademike të Shqiptarëve për Shkencë dhe Art – Tetovë nënshkruam një memorandum bashkëpunimi për ti ndryshuar emrat e rrugëve dhe shkollave në Tetovë. Për të mos u dukur serioze ky memorandum bashkëpunimi mes Komunës së Tetovës dhe “Shoqatës së Akademikëve” është se Zeqir Kadriu është babai i kandidates për këshilltare nga Lëvizja BESA, Besa Kadriu, këtu fillon edhe manipulimi i tetovarëve nga Bilall Kasami dhe “Shoqata e Akademikëve” në krye me Zeqir Kadriun bashkë me shokët e tij duke mashtruar tetovarët se kjo nismë do të ndryshojë emrat e rrugëve dhe shkollave. Bilall Kasami i cili më shumë bën fushatë, pasi këtë memorandum e ka bërë në kohë fushate, e jo pas fushate tha se ky memorandum i bashkëpunimit do të mundësojë hartimin e një strategjie, e cila do të jetë komfor ligjeve që emrat e rrugëve të kenë emra shqip dhe Tetova të kthehet tek kultura dhe tradita, siç i ka hije një kryeqendre shqiptare.

T’ia rikujtojmë Kasamit dhe “Akademikëve shqiptar” të vetëshpallur, para se me ndryshuar emrat e shkollave, ndryshoni drejtorin e VMRO-së në komunën e Tetovës që tetovarët më pas të nisin t’ju besojnë në nismat e juaja për ndryshimin e emrave. Bilall Kasamit dhe “Shoqatës së Akademikëve” sot në kohën e fushatës ju kujtohet “Strasho Pinxhuri” , emrat maqedonas të shesheve, shkollave si dhe institucioneve në Tetovë. Ai ska për ti ndryshuar kurrë, sidomos kur dihen lidhjet e forta të tij me VMRO-në me të cilën shpreson ta vazhdojë jaraninë në një koalicion të serishëm për Këshillin, pse jo edhe me Levicën e Apasievit.

Por, Kasami e shfrytëzon idenë e “Akademisë shqiptare” edhe për lidhje të tjera të forta me Abdylmenaf Bexhetin sepse nuk është e rastësishme se sa shumë u përputhen mendimet atyre. Për këtë çështje ka foluar edhe njohësi i çështjeve politike dhe analisti i njohur Selim Ibraimi- duke u shprehur se kohën e fundit kanë dalë në opinion ish struktura të vjetra të LKM-së, të ish PPD-së dhe të ish PDP-së, për themelimin e një Akademie Shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ibraimi thotë se nismat nga individë që kanë qenë pjesë e sistemit monist dhe në pozita të larta pas 1991-shit duhet të merren me rezerva, pasi të njëjtit do të vazhdojnë me politikat e sundimit mbi baza grupore, klanore ose edhe partiake. Nismat e tilla sipas tij me figura të djegura nuk janë në interes të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe as më pak të atyre që shpresojnë se një ditë do të bëhen anëtarë të rinj. Ka disa akademikë që për arsye të forta interesi kanë lëvizur nga një parti në tjetrën, duke u rreshtuar një pjesë me pushtetin e pjesa tjetër me opozitën. Edhe Selim Ibrahimi thotë se “Akademi shqiptare PO, por pa ish komunistë!”

Dhe për të mbyllur shqetësimin e ndryshimit të emrave në Tetovë nga sllav në shqiptare, ne deri atëherë do ju themi “Akademikët” e Strasho Pinxhurit, sepse Strasho Pinxhurin nuk mund të largojë nga Tetova as Bilall Kasami e as këta “akademikë” që në zemër e kanë “Strasho Pinxhurin” e në gojë e kanë “Mujdin Aliun”.