Talibanët shënuan një vit në pushtet të hënën, por festa ishte e zbehtë në kohën kur Afganistani po lufton me varfërinë në rritje, thatësirën, kequshqyerjen dhe shpresën e zbehur të grave se ato mund të kenë një rol vendimtar në të ardhmen e vendit.

Në shenjë feste, disa njerëz qëlluan në ajër me armë zjarri në Kabul, por qyteti me 4.5 milion banorë ishte i qetë një vit pasi talibanët marshuan aty.

Vendi është më i sigurt sesa ishte kur lëvizja islamike e linjës së ashpër po luftonte kundër forcave të huaja të udhëhequra nga SHBA-ja, edhe pse një degë lokale e Shtetit Islamik ka kryer disa sulme.

Megjithatë, kjo siguri relative nuk mund ta maskojë sfidën me të cilën përballen talibanët për ta vendosur Afganistanin në rrugën drejt e rritjes ekonomike dhe stabilitetit. Ka presione të mëdha mbi ekonominë, të shkaktuara kryesisht nga izolimi i vendit pasi qeveritë e huaja refuzojnë të njohin sundimtarët e tij.

Ndihma për zhvillim, në të cilën vendi mbështetej aq shumë, është zvogëluar pasi komuniteti ndërkombëtar kërkon që talibanët të respektojnë të drejtat e afganëve, veçanërisht vajzave dhe grave, qasja e të cilave në punë dhe arsim është kufizuar.

Talibanët po kërkojnë që 9 miliardë dollarë të mbajtura jashtë shtetit të kthehen në rezervat e Bankës Qendrore, por bisedimet me Shtetet e Bashkuara po përcillen me pengesa, duke përfshirë kërkesat amerikane që një udhëheqës taliban, që i nënshtrohet sanksioneve, të largohet nga pozicioni i tij si i dyti në këtë bankë.

Talibanët refuzojnë t’u dorëzohen këtyre kërkesave, duke thënë se ata respektojnë të gjitha të drejtat e afganëve brenda kornizës së interpretimit të ligjit islamik.

Kështu që derisa të ketë një ndryshim të madh në pozicionin e secilës palë, nuk pritet asnjë zgjidhje të shpejtë për rritjen e çmimeve, rritjen e papunësisë dhe urinë që mund të përkeqësohet me fillimin e dimrit.

“Të gjithë po shkojmë drejt errësirës dhe fatkeqësisë”, tha Amena Arezo, një mjek nga provinca juglindore Hazni. “Njerëzit nuk kanë të ardhme, veçanërisht gratë”.

Rreth 25 milionë afganë tani jetojnë në varfëri – më shumë se gjysma e popullsisë. Dhe, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara deri në 900.000 vende pune mund të humben këtë vit./reuters/EL/