Zyrtarët qeveritarë në Ekuador kanë fajësuar krimin e organizuar për një shpërthim vdekjeprurës në qytetin port të Guayaquil.

Të paktën pesë persona u vranë dhe 26 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i së dielës.

Ministri i Brendshëm i Ekuadorit tha se ishte një “shpallje lufte” nga bandat kriminale kundër qeverisë.

Vendi i Andeve, i cili përdoret si një rrugë kontrabande kokaine nga Peruja dhe Kolumbia fqinje, ka parë një rritje të vrasjeve dhe krimeve të lidhura me bandat kohët e fundit, raporton abcnews.al.

Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në Guayaquil, qyteti më i populluar i Ekuadorit dhe një qendër e rëndësishme tregtare. Është emergjenca e katërt që shpallet në Ekuador që nga tetori për shkak të dhunës së bandave.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Menaxhimit të Rrezikut dhe Emergjencave, tetë shtëpi dhe dy makina u shkatërruan në shpërthimin e mëngjesit të së dielës.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë pjesën e përparme të shtëpive të dëmtuara dhe makinat e lyera me gjak.

Në një konferencë shtypi të dielën vonë, zyrtarët thanë se sulmi ishte drejtuar ndaj dy burrave, të cilët përdorin pseudonimet e Cucaracha dhe Junior dhe janë të lidhur me Los Tiguerones, një nga bandat kryesore të krimit në Ekuador, raporton abcnews.al.

“Mercenarët e krimit të organizuar, të cilët kanë droguar prej kohësh ekonominë, tani sulmojnë me eksplozivë”, shkroi në Twitter Ministri i Brendshëm Patrick Carrillo pas shpërthimit.

“Është një shpallje lufte ndaj shtetit”, tha ai.

Guayaquil ka parë nivele tronditëse të dhunës, duke përfshirë trupat e prerë, kokat e në ura dhe trazirat vdekjeprurëse në burgje midis bandave rivale. Gati 400 të burgosur janë vrarë në gjashtë trazira të veçanta që nga shkurti i vitit 2021.

Pas shpërthimit, kryebashkiaku i qytetit, Cynthia Viteri i shkroi një letër të hapur presidentit Guillermo Lasso, i cili mori detyrën vitin e kaluar.

“Bandat kriminale janë bërë një qeveri brenda një qeverie në Ekuador”, fillon letra.

“Ne kemi qenë dëshmitarë të njerëzve të varur në ura, vrasjeve në motoçikleta, përdhunimeve në qendra tregtare dhe autobusëve shkollorë”, ka shkruar ajo.

“Çfarë doni të bëjmë tjetër për të mbrojtur veten? Një president është mbrojtësi i popullit të tij, por deri më tani nuk kemi parë një hap të vetëm të sigurt për të luftuar krimin.”

Në Twitter, zoti Lasso tha se ai “nuk do të lejonte që krimi i organizuar të përpiqet të drejtojë vendin”, megjithatë ai është përballur me një betejë të vështirë dhe kritika për mungesën e ndonjë ndryshimi kuptimplotë.

Guayaquil është renditur qyteti i 50-të më i dhunshëm në botë nga Insight Crime. Faqja e internetit e gazetarisë investigative raporton se shkalla e vrasjeve në Ekuador u rrit më shpejt se çdo vend tjetër në Amerikën Latine ose Karaibe në vitin 2021./Abcnews.al/