Ukraina thotë se Rusia hodhi bomba me fosfor në Ishullin e Gjarpërinjve

Ushtria e Ukrainës ka akuzuar Rusinë për kryerjen e sulmeve duke përdorur municione djegëse fosfori në Ishullin e Gjarpërinjve, vetëm një ditë pasi Moska tërhoqi forcat e saj nga ishulli shkëmbor në Detin e Zi.


Dy lloje avionësh luftarakë rusë Su-30 që lëshonin bomba fosfori fluturonin mbi ishull nga Gadishulli i Krimesë i kontrolluar nga Rusia, deklaroi të premten në Telegram komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Valeriy Zaluzhnyi.

“Sot rreth orës 18:00 … avionët e forcave ajrore ruse Su-30 kryen dy herë sulme me bomba fosfori në ishullin Zmiinyi”, tha ushtria ukrainase në një deklaratë, duke përdorur një emër tjetër për Ishullin e Gjarpërinjve.

Ministria ruse e mbrojtjes e përshkroi tërheqjen nga ishulli të enjten si një “gjest vullneti të mirë”, që synon të demonstrojë se Moska nuk do të ndërhyjë në përpjekjet e OKB-së për të organizuar eksportet e mbrojtura të grurit nga portet ukrainase në Detin e Zi.

Ushtria ukrainase të premten akuzoi Rusinë se nuk ishte në gjendje të “respektonte as deklaratat e veta”.

Pamjet video që shoqëronin deklaratën ukrainase treguan se një avion lëshoi municione të paktën dy herë në ishull, dhe ato që dukej të ishin vija të bardha që ngriheshin mbi të.

Armët me fosfor, të cilat lënë një gjurmë të bardhë në qiell, janë armë ndezëse, përdorimi i të cilave kundër civilëve është i ndaluar sipas një konvente ndërkombëtare, por lejohet për objektiva ushtarake.

Ukraina ka akuzuar Rusinë për përdorimin e bombave me fosfor disa herë që nga pushtimi i saj në fund të shkurtit, duke përfshirë zonat civile, akuza që Moska i ka mohuar.

Ukraina ka pohuar se personeli ushtarak rus u detyrua të tërhiqej nga ishulli pasi ra nën një breshëri zjarri artilerie dhe raketash.

Ishulli i Gjarpërinjve shtrihet në brigjet e Ukrainës, rreth 35 kilometra nga delta e Danubit dhe ishte tashmë një zonë ushtarake e kufizuar si një postë kufitare ukrainase përpara fillimit të luftës.