Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën Petar Petkoviq, ka pritur sot në takim në Rashkë përfaqësuesit politikë të serbëve nga veriu i Kosovës.
Petkoviq theksoi se ka ardhur për të diskutuar për situatën “jashtëzakonisht komplekse në Kosovë”, pas vendimit të Prishtinës zyrtare për reciprocitetin për targat dhe letërnjoftimet serbe duke nisur nga 1 gushti.

Ai po ashtu thekson se do të diskutojë për lëvizjet “e njëanshme” të Prishtinës për targat serbe si dhe letërnjoftimet e lëshuara nga Serbia.

Petkoviq thotë se ka qenë “diskutim i gjatë dhe i vështirë” ai i mbajtur në Rashkë të Serbisë.

Ai ka përmendur zbatimin e marrëveshjes për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke pretenduar se Asociacioni do të normalizonte raportet Kosovë – Serbi.

“Kam dëgjuar nga të gjithë përfaqësuesit e serbëve sot se duan të formojnë Asociacionin e Komunave Serbe. Nëse do të kishim sot ASK, nuk do të kishte ndodhur gjithçka që po ndodh sot”, ka thënë Petkoviq, raporton media serbe “Novosti”.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar se nga 1 gushti do të hyjë në fuqi vendimi për reciprocitet me Serbinë, për cështjen e njohjes së dokumenteve.

Prej të hënës, në Kosovë, shtetasit serbë që prezantojnë në kufi dokumente identifikuese të lëshuara nga Serbia, do të pajisen me një dokument “hyrje/dalje”. Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikatkalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.