Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, thotë se miratimi i Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë e cila i adresohet Këshillit të Evropës mbi pabazueshmërinë e pretendimeve të përfshira në raportin e ish-senatorit Dick Marty është e mirëseardhur.

Osmani vlerëson se Kuvendi i Shqipëri ka shprehur atë që secili shqiptarë e ka thënë se lufta çlirimtare e Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk zhbëhet nga askush pavarësisht përpjekjeve, njofton Klankosova.tv.

“Rezolutat janë të mirëseardhura dhe shprehin vullnetet politike të parlamenteve përkatëse. Mirëpo, ekziston një parim bazik juridik që një akt qoftë rezolutë apo akt tjetër juridik ose politik kështu që natyrisht Kuvendi i Shqipërisë ka shprehur atë që secili shqiptarë në Kosovë e Shqipëri apo kudo qoftë ka thënë deri sot që lufta çlirimtare e Kosovës, lufta çlirimtare e UÇK-së nuk mund të zhbëhet nga askush sepse historinë nuk do të mund ta ndryshojë askush pavarësisht përpjekjeve”.

“Kosova asnjëherë nuk ka fshehur asgjë, sepse Kosova e ka mbrojtur vetveten nga një regjim gjenocidal i udhëhequr nga Millosheviqi në atë kohë, mbetjet e të cilit akoma janë në Serbi për fat të keq në kontekst të mentaliteti”, tha Osmani.

“Dick Marty ka tentuar të shtrembëroj të vërtetën që ka ndodhur në Kosovë, një luftë gjenocidale e Serbisë kundër popullit të Kosovës, por përgjigjen e ka marrë edhe nga vet prokurorë të Speciales. Serbia edhe sot vazhdon që të përgatisë lloj-lloj komplotesh e lloj-lloj sulmesh siç kanë tentuar kundër vetë Martyt që ta fajësonte më pas Kosovën, të gjitha këto vërteta ne i themi në çdo cep të botës”.

Mes tjerash, Osmani u pyet edhe për vizitë tek të akuzuarit e Gjykatës Speciale që po mbahen në Hagë, por deklaroi se nuk kanë rëndësi vizitat sa të sigurohet shteti që ata që po akuzohen të kenë mbrojtjen e nevojshme.

“Ne nuk harrojmë. Kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh. Nuk e harrojmë, sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”, tha ajo.