Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, thotë se për çdo anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe njohje për Kosovën janë në koordinim të plotë e deri në detaje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Vazhdimisht që nga shpallja e pavarësisë më 2008 e tutje Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë shteti më përkrahës sa i përket procesit të njohjeve të reja për Republikën e Kosovës dhe natyrisht se kemi edhe shumë partnerë të tjerë të cilët na kanë ndihmuar në këtë drejtim në Evropë e përtej Evropës”.

Osmani, në një konferencë për media pas kthimit nga vizita zytare në Amerikë, tha se për këto morën mbështetjen publike të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, njofton Klankosova.tv.

“E njëjta vlen edhe sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, pra ne koordinohemi për secilin hap që e ndërmarrim hapin për anëtarësim ose si t’i qasemi një organizate ndërkombëtare sa i përket aplikimit qoftë kur i qasemi një shteti individual për ta bindur atë për të na njohur. Bëjmë koordinim të plotë deri në detaje me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë”.

“Si për Këshillin e Evropës ashtu edhe për Partneritetin për Paqe në NATO-n, por edhe për organizata të tjera ndërkombëtare kemi kërkuar përkrahjen e plotë të Amerikës dhe kjo përkrahje është konfirmuar nga Blinken edhe publikisht – jo vetëm brenda takimit ku natyrisht kemi diskutuar më në detaje se tek cilat shtete na duhet më shumë përkrahje” tha Osmani.