Mediat në Serbi të kapura nga pushteti

Mediat në Serbi vazhdojnë të jenë të kapura nga pushteti dhe gazetarët po kërcënohen me padi, thuhet në raportin e fundit të Qendrës për Pluralizëm dhe Liri të Mediave (EUI).


Sipas EUI-së, peizazhi mediatik i Serbisë është shumë i polarizuar nga mediat që shihen nga autoritetet si kundërshtarë politikë.

“Raporti midis tabloidëve pro-qeveritar dhe mediave kritike pasqyron një peizazh të ndarë politik në Serbi, ku mediat kritike shpesh perceptohen si kundërshtarë politikë”, thuhet në raport.

Qendra thekson se autoritetet serbe nuk zbatojnë ligjet e medies, gjë që çon në një rrezik për lirinë e mediave, të minuar nga instrumente të ndryshme duke përfshirë kërcënimet me padi kundër gazetarëve dhe paditë SLAPP, si dhe presionin e vazhdueshëm ndaj mediave që janë kritikuese të pushtetit.

Për sa i përket pluralitetit të tregut, sipas raportit, rreziqet kryesore në Serbi burojnë nga një përqendrim i lartë me ndikim komercial në përmbajtjen editoriale të lajmeve.

“Ndikimi më i madh që u vu re ishte ai i zyrtarëve shtetërorë dhe partiakë mbi mediat private, fal lidhjeve politike me pronarë të caktuar të mediave. Ndikimet janë kryer kryesisht përmes kontratave të drejtpërdrejta dhe prokurimit publik. Shumë media private janë në pronësi të mbështetësve të partisë SNS në pushtet. Reklamimi shtetëror ishte i zakonshëm edhe në mediat e shërbimit publik”, vijon raporti.

EUI ka paralajmëruar edhe mbi presionin politik ndaj gazetarëve dhe redaktorëve, duke shtuar se disa media kanë marrë pjesë në fushata dezinformuese.

“Pavarësia mediale është minuar nga pronarët e mediave të lidhura politikisht me pushtetin, të drejtuara kundër gazetarëve, të cilat kontribuuan në vetë-censurë”, paralajmëron EUI duke shtuar se mediat private kanë marrë pjesë rregullisht në fushata dezinformuese kundër opozitës dhe mediave të perceptuara si kundërshtare të pushtetit.

Në fund, raporti ka thënë se vetë profesioni i gazetarit në Serbi është i pasigurt.