Maturantja që realizon fustanin e ëndrrave: Kam bashkëpunuar me Luana Vjollcën

Erona Januzi është maturantja nga Kosova që ka stiluar fustanin e vetë dhe të të gjitha shoqeve të saj për mbrëmjen gala. Ndonëse në moshë të re, ajo duket se ja ka dal të krijojë fustanet e ëndrrave.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Erona ka zbuluar disa detaje nga realizimi i fustaneve. Sakaq, ka treguar dhe se si i lindi dëshira për tu marrë me modë.

“Unë vetë i skicoj, dikush tjetër merret me qepjen dhe realizimin. Nuk i shes. Kemi vendos që në fillim që fustanet e maturës të jetë prej meje dhe nuk kemi parë më shumë.

Frika më e madhe ka qenë te moment i qepjes, më shumë te pjesa e vajzave. Se çdo vajzë mezi e pret mbrëmjen e maturës dhe nuk kam dashur me i prish ëndrrën.

Si fëmijë gjithmonë kam skicuar, por kur kam parë një serial që në qendër ishin dizanjerët dhe aty e kam kuptuar. Edhe në universitet kam menduar që të vazhdojë për fashion-dizanj dhe mendoj se do jetë e duhura për të ardhmen”, tha ajo.

Më tej, e pyetur nëse ka bashkëpunuar me ndonjë nga të famshmit shqiptarë, Erona zbuloi se bëhet fjalë për Luana Vjollcën.

“Kjo ka ndodhur me Luana Vjollcën, kam bashkëpunuar me të për fustanin që ajo ka veshur në këngën ‘1 mijë vjet’. E kam punuar në bashkëpunim me Blerinën Kllokoqi Rugova, të cilën e kam njohur që në moshën 14 vjeç. Ajo më ka ndihmuar shumë”, shtoi maturantja./abcnews.al