Bisedimet dhe konsultimet për propozimin francez për fillimin e negociatave me BE-në do të vazhdojnë në disa nivele, theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, në një konferencë me redaktorët.

Ai e paralajmëroi edhe vizitën e nesërme zyrtare në Shkup të kryetarit të Këshillit Evropian, Sharl Mishel.

“Ende vijon faza e konsultimeve. Po punojmë intensivisht në shqyrtimin dhe konsultimin e këtij propozimi për të marrë një vendim të duhur në ditët në vijim. Në seancën e Qeverisë do të shohim dhe do të shqyrtojmë se në çfarë forme dhe si do të veprojmë më tutje. Ne nuk jemi angazhuar me afate konkrete, por çdo ditë dikush më qortonte edhe publikisht se kam sforcuar shumë për të nxituar, por ne jemi duke pritur tashmë 17 vite. Dhe në një situatë kur kemi propozim që del në vigjilje të të gjitha vërejtjeve tona, mendoj se është një paketë që ia vlen të shqyrtohet seriozisht”, tha Mariçiq.

Në pyetjen se kur dhe si do të fillojë procesi, ai u përgjigj se çdo negociatë fillon me një konferencë të parë ndërqeveritare, në të cilën miratohet korniza negociuese, lexohet “opening stejtmenti” apo ajo deklaratë formale për hapjen e negociatave nga të dyja palët dhe merret vendimi për fillimin e skriningut.

“Skriningu është faza fillestare e negociatave, ajo nuk është jashtë negociatave, në atë fazë fillestare të negociatave ne kemi për detyrë me Komisionin Evropian dhe vendet-anëtare të BE-së ta rishikojmë legjislacionin tonë sa është harmonizuar, por edhe praktikat sa janë harmonizuar me ato evropiane. Në bazë të atij skriningu, bëhen raporte që e japin rrugën se si hapen, lëvizin dhe mbyllen Kapitujt dhe Klasteret”, shpjegoi Mariçiq, duke shtuar se me këtë propozim e marrim atë që kemi konsideruar se na takon, e ai është fillimi i negociatave në këtë fazë fillestare, të skriningut.