Këtë verë, nuk kishte shtëpi e restorant pa ndonjë dasmë ose aheng tjetër familjar. Përveç muzikës e vallëzimit thuajse të gjitha ahengjet u shoqëruan me gjuajtje nga armë zjarri ose fishekzjarrë, pasqyron në një storje TV Alsat.

Qytetarët thonë për Alsat se gjuajtjet në ahengje familjare duhet anashkaluar, posaçërisht në zonat ku ka dendësi më të madhe të popullsisë.

“Shumë raste përfundojnë me vdekje ose plagosje. Aspak nuk duhet të gjuhet, jo vetëm me armë por edhe me mjete piroteknike”, tha një qytetar.

“Këtu jetoj, vazhdimisht rreth orës 24 ka gjuajtje. Jo vetëm fishekzjarri por edhe me armë zjarri”, tha një tjetër.

“Nuk është në rregull. Përse të gjuash, për çka? Nëse gjuan ndodhë diçka, ose plagoset dikush ose përfundon në ndonjë shtëpi. Gëzimin e bëjnë të tjerët, ka daulle, ka muzikë, ka këngëtarë. S’ka nevojë, përse të gjuash”, shtoi një qytetar tjetër.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thanë për Alsat se nuk kanë numër të saktë të këtyre rasteve. Ato që tashmë janë paraqitur kanë të bëjnë me plagosje dhe dëme materiale nga plumbat qorre.