Ziberi: Në stacionet policore nuk ka lista të azhurnuara të avokatëve, shteti nuk i kompenson shërbimet

Avokati i popullit, Naser Ziberi dhe kryetari i Odës së avokatëve, Lubomir Mihajllvoski sot nënshkruan memorandum për bashkëpunim në drejtim të përmirësimit të pjesëmarrjes dhe mbrojtjes së qytetarëve para shërbimeve policore dhe shërbimeve të tjera në fazën fillestare, kur kundër tyre ndërmerren veprime.


“Në stacionet policore dhe vendet tjera për privim dhe ndalim hasëm në situata ku nuk ka lista të azhurnuara të avokatëve, e në disa nuk ka fare. Oficerët e policisë nuk janë mjaftueshëm të informuar për të drejtën e personave të privuar apo të ndaluar, që të mund të kërkojnë praninë e avokatit në mbrojtjen e tyre, si një nga segmentet për të balancuar marrëdhëniet mes atyre me kompetenca të veçanta dhe personave nën ndikimin e tyre”, informoi avokati i popullit.

Ai tha se çdo person ka të drejtën e një avokati në fazën e parë dhe se mjetet për këtë shërbim avokati duhet të mbulohen nga buxheti i shtetit.

“Mendoj se prania e avokatit është e domosdoshme në atë fazë të parë dhe natyrisht është e rregulluar në mënyrë përkatëse edhe në ligjin e procedurës penale, ku në nenin 161 parashikohet që prani të avokatit, veçanërisht pas orës 20 deri në 6 të mëngjesit, mund të kërkon çdo person që është i ndalur, respektivisht i arrestuar, e për këtë mjetet t’i kompensojë buxheti i shtetit”, theksoi Ziberi.

Ai shtoi se bashkëpunimi me Odën e avokatëve do të përfshijë edhe fusha të tjera, e me qëllim përmirësimin e mbrojtjes së plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe shfaqi shpresën se kjo ngjarje do të shënojë një ngritje jo vetëm të bashkëpunimit mes dy institucioneve, por edhe në sensibilizimin e qytetarëve për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të tyre.

Kryetari i Odës së avokatëve, Mihajllovski bëri të ditur se nënshkrimi i memorandumit në fakt është vetëm formalizim i aktiviteteve dhe veprimeve që do të ndërmerren nga avokatët dhe Avokati i popullit.

“Ju e dini që avokatët, sipas Kushtetutës dhe sipas ligjeve, si mbrojtës janë të autorizuar të veprojnë në të gjitha fazat e procedurës, në procedurën penale, pra në procedurën parahetimore, në procedurën hetimore, madje edhe gjatë gjykimit për shkak të mbrojtjes së interesave të tyre, gjegjësisht të mbrojnë të drejtat e tyre, më së shumti për shkak të një gjykimi korrekt dhe të drejtë”, tha Mihajllovski.

Ai shtoi se nëse qytetarët i nënshtrohen torturave apo veprimeve të tjera të kundërligjshme, është e vështirë të kapërcehen ato situata për të pasur gjykim korrekt dhe të drejtë.

“Avokatët janë të gatshëm, të arsimuar mirë dhe si të tillë marrin pjesë në shumë procedura penale që udhëhiqen. Kemi juristë të cilët janë të specializuar në ligjet dhe konventat ndërkombëtare të cilat i ka nënshkruar Maqedonia, kështu që mendoj se do të japin një kontribut të madh në idenë e një lufte më të suksesshme dhe efektive kundër torturës”, tha Mihajllovski.

I pyetur nga gazetarët për arsyet e numrit të vogël të personave që përdorin shërbime juridike kur u privohet liria dhe për mosparaqitjen e shumë avokatëve kur thirren nga institucionet kompetente për paraburgim dhe raste të ngjashme, Mihajlovski tha se arsyet për këtë janë se personat e paraburgosur nuk njoftohen ose u kumtohen në mënyrë të paqartë të drejtat e tyre, kur për herë të parë privohen nga liria.

“Kjo është e para e punës. E dyta është çështja financiare. Unë flas kur nuk jemi të angazhuar nga pala drejtpërdrejt. Pra shteti duhet të sigurojë mjete nga buxheti që ata persona të marrin ndihmë avokati, gjegjësisht mbrojtës, ndërsa ato shpenzime mbulohen nga buxheti, meqë ka shumë qytetarë që nuk kanë mjete për t’i mbuluar këto shpenzime”, theksoi Mihajllovski.

Ai theksoi se për momentin avokatët nuk paguhen fare për procedurat para Ministrisë së Brendshme dhe se punojnë pro bono, gjegjësisht pa pagesë për atë pjesë të procedurës.

Lidhur me çështjen e caktimit të shpeshtë të masës së paraburgimit, Mihajlovski tha se kjo e pamundëson mbrojtjen efektive në aspektin e situatës në të cilën vihet i paraburgosuri i cili është në pritje të procedurës gjyqësore dhe shtoi se gjykatat mund të përdorin masa të tjera më të buta për të siguruar praninë e personit ndaj të cilit zhvillohet procedura penale.

Sa i përket numrit të avokatëve që do të punonin pro bono për t’u dalë në ndihmë këtyre personave të privuar nga liria, Mihajllovski tha se ka listë të avokatëve që punojnë pro bono, mirëpo, sipas tij, ky është problemi më i vogël.

“Duhet të kemi një sistem në shtet, si në të gjitha shtetet tjera, i cili do të sigurojë mjete dhe kushte për punën e avokatëve mbrojtës në fazën më të hershme të procedurës penale”, deklaroi ai, duke shtuar se ka shumë procedura të cilat nuk vazhdojnë me procedurat gjyqësore, por ndalen në polici, parahetuese apo faza të tjera të hershme dhe se ato shpenzime duhet të paguhen.

Ziberi, për të njëjtën çështje, tha se avokatët nuk duhet të punojnë pro bono.

“Avokatët, për mbrojtjen që do ta mundësojnë, duhet të shpërblehen sipas tarifave të tyre, sepse shteti ka marrë obligim me Ligjin për procedurën penale t’i kompensojë ato shpenzime, natyrisht nga ora 20:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit. Edhe në atë pjesë, kur thirret nga organi kompetent, avokati për të marrë pjesë në procedurë, avokati duhet të kompensohjet nga mjetet e buxhetit, nuk duhet të angazhohet pro bono”, tha Ziberi dhe shtoi se nuk duhet vetëm të qëndrojë në Ligjin për procedurë penale, por duhet edhe të materializohet në mënyrën përkatëse, e në këtë mënyrë do të ndikojë drejtpërdrejt në mbrojtjen e të drejtave dhe mbrojtjen e të drejtave të personave të ndaluar dhe të paraburgosur.

Ziberi theksoi se kjo është arsyeja që nuk ka lista të azhurnuara të avokatëve kujdestarë në stacionet e policisë dhe në vendet e tjera të privimit dhe ndalimit dhe se kjo është rezultat i faktit se shteti nuk i kompenson avokatët për shërbimin që ofrojnë.