Partia opozitare në vend VMRO-DPMNE thotë se Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së e partizanizon plotësisht gjyqësorin dhe përmes ndryshimeve në Ligjin për marrëdhënie pune kërkon t’ua zgjasë mandatin ekzekutorëve politikë.

Në fakt, sjellja e dhunshme dhe e pahijshme e deputetëve të shumicës qeverisëse të Komisionit për Çështje Evropiane, moslejimi i deputetëve të opozitës për të diskutuar, është vetëm një konfirmim se qeveria e LSDM-së dhe BDI-së i zgjat mandatin të gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë në mënyrë që ata të vazhdojnë krimin pa probleme si më parë.

Kovaçevski kërkon kontroll të plotë mbi gjyqësorin dhe zyrën e prokurorisë publike thuhet në[ komunikatën e VMRO-DPMNE-së, transmeton Klan M.

LSDM dhe BDI janë në anën e krimit dhe korrupsionit dhe për këtë po ua zgjat mandatin ushtarëve partiakë në gjyqësor.

Kovaçevski është njësoj si shefi i tij Zaev dhe kërkon t’ua zgjasë me dhunë mandatin gjyqtarëve dhe prokurorëve që deri dje kanë vendosur në favor të pushtetit, duke injoruar të vërtetën e paraqitur përmes provave materiale dhe fakteve.

Publiku është dëshmitar se deri më tani nuk ka zgjidhje ligjore për krimin e zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe partiakë të LSDM-së dhe BDI-së.

Pikërisht për këtë është edhe besimi i ulët prej 8 për qind i qytetarëve në sistemin e drejtësisë në vend. Gjyqësori dhe prokuroria publike janë nën kapelën partiake dhe kontrollin ideologjik të qeverisë së LSDM-së, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.