Në mbledhjen e sotme të 186-të të Këshillit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, drejtor i Institutit u rizgjodh prof. dr. Skënder Asani.

Ai ka qenë kandidati i vetëm në konkursin e shpallur publik më 14 qershor 2022 dhe për të njëzëri votuan anëtarët e brendshëm dhe të jashtëm të Këshillit të Institutit të pranishëm në mbledhje.

“Ata vlerësuan performancën e Asanit gjatë mandateve të kaluara, duke e ngritur lartë nivelin e këtij Instituti në vend e rajon dhe duke e shndërruar atë në një qendër të respektuar albanologjike”, thuhet në kumtesën e ITShKSh-së.

Skender Asani është doktor i shkencave historike, autor i dhjetëra librave shkencor – historik, pjesëmarrës në shumë konferenca shkencore dhe nismëtar i aktiviteteve të shumta me peshë kombëtare për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në përgjithësi dhe për ata të Shkupit në veçanti. Është në marrëdhënie të rregullt pune në ITShKSh që nga viti 2008, drejtues i Institutit nga viti 2014, kurse në vitin 2021 është zgjedhur në titullin këshilltar shkencor (profesor i rregullt).