Për herë të pestë banorët e fshatit Tërnovc i Madh të Bujanocit sot do t’i drejtohen kutive të votimit. Votat e tyre do të jenë përcaktuese nëse Shaip Kamberi do të jetë sërish deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin serb apo nëse mandati do t’i takojë Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) të Ivica Daçiç.

Të drejtë vote në shkollën fillore “Muharrem Kadriu” në këtë fshat kanë 1,089 votues. Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës i nevojiten 610 vota për të hyrë në Kuvendin e Serbisë, ndërsa SPS të mos marrë asnjë pasi kjo do të rriste pragun zgjedhor.

Kandidati për një tjetër mandat, Shaip Kamberi, thotë se është i lodhur nga përsëritja e vazhdueshme, por shprehet se alternativë është vetëm dorëzimi ndaj së keqes.

“Jemi në luftë, jo thjesht për të zgjedhur një deputet, por për drejtësi, barazi e liri. Nuk po kërkojmë asgjë më tepër veç trajtimit të barabartë si qytetarë, trajtim të dinjitetshëm dhe të drejta jetike. Jam plotësisht i vetëdijshëm se kjo betejë për përfaqësim ka shkaktuar lodhje e frustrime të shumta të secili prej nesh, u bë e mërzitshme dhe e bezdisshme edhe për mua, por, alternativa e kësaj është dorëzimi. Dorëzimi ndaj atyre që nuk na duan të mirën. Kjo nuk është luftë për ta rehatuar një person, ashtu siç po tentojnë ta paraqesin disa. Përfaqësimi nuk ka të bëjë me këtë, sepse fati i një personi është absolutisht i parëndësishëm në raport me fatin tonë kolektiv”, tha një ditë më parë.