Shkolla verore 2022, e vazhdon me sukses realizimin dhe përmbushjen e agjendës programore. Sot ligjëratat e tyre i mbajtën ekspertë të fushës, ndërsa një ligjëratë kushtuar “Sundimit të ligjit nën optikën e filozofisë politike” e ka zhvilluar kryetari i Senatit të UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, njëherësh edhe profesor në Fakultetin Filozofik.

Me këtë rast, ai para pjesëmarrësve foli për konceptet filozofike të cilat qëndrojnë si postulate mbi bazat e të cilëve janë ndërtuar shtetet demokratike dhe nga ku lindi ideja për ndarjen e pushtetit shtetëror në tri shtylla. Kjo ligjëratë ndryshe nga të tjerat, që patën natyrë më praktike të ligjërimit, tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve për shkak të ligjërimit atipik dhe mjaft provokues nga ana e Prof. Dr. Kushtrim Ahmetit. Tema e përzgjedhur nuk është një rastësi, por përkundrazi vjen si një nevojë për të analizuar më thellë konceptet që janë plasuar nga filozofë të ndryshëm shekuj më parë.

Ligjëruesi tjetër që sot u takua me pjesëmarrësit e Shkollës verore 2022 ishte Cole Radovich, këshilltar ligjor në Ambasadën e SHBA-ve. Ai para studentëve prezantoi një rezyme më të përgjithshme të ndihmës dhe kontributit amerikan në forcimin e shoqërisë civile, sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit. Mes tjerash theksoi se të gjithë ne duhet të angazhohemi pa ekuivokë në luftimin e korrupsionit dhe ta denoncojmë tek organeve kompetente çdo akt që cenon të drejtën e qytetarit për të pasur qasje në shërbimet që i takojnë. Në fund të ligjëratës së tij, ai i vlerësoi lartë të arriturat e Universitetit të Tetovës dhe i falënderoj organizatorët për bashkëpunimin e deritanishëm mes UT-së dhe Ambasadës së SHBA-ve, duke bërë të qartë se ky bashkëpunim do të intensifikohet akoma më shumë me Qendrën për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, me programe konkrete.

Shkolla verore 2022, që bashkorganizohet nga Universiteti i Tetovës dhe Këndi Amerikan në Tetovë, mbështetur dhe nga Ambasada e SHBA-ve, ofron një agjendë të ngjeshur dhe në vazhdën e ligjëratave, sesioneve dhe punëtorive, studentët zhvilluan një takim me ish-Avokatin e Popullit në Maqedoninë e Veriut, Ixhet Memetin. Ai shpalosi ekspertizën e tij në ligjëratën me temë “Misioni dhe të drejtat që mbrohen nga Avokati i Popullit”. Më pas, drejtoresha e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, Donika Kamberi në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij shumëvjeçar në fushën e së drejtës, zotëri Memetit ia dhuroi simbolin e Qendrës për Paqe.

Dita e sotme përfundoi me ligjëratën e përgatitur nga profesori i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Ai para pjesëmarrësve ndau përvojën e tij dhe kontributin shkencor mbi çështjen e ndarjes së pushtetit shtetëror dhe në mënyrë të detajuar i prezantoi sfidat me të cilat karakterizohen këto shtylla: gjyqësori, ekzekutivi dhe ligjvënësi dhe kompetencat që parashihen sipas Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.