Shaqiri: Po transformojmë arsimin në model bashkëkohor që do të integrojë trendet globale dhe standardet për cilësi

Qeveria e Maqedonisë së Veriut jo vetëm që mundësoi vazhdimësinë e procesit edukativo – arsimor gjatë pandemisë, por pikërisht në këtë periudhë filloi edhe zbatimin e reformave arsimore më të mëdha që kanë ndodhur ndonjëherë në vend dhe ato duhet të transformojnë sistemin kombëtar të arsimit në një model bashkëkohor që do të integrojë standarde të reja cilësore dhe do t’i përgjigjet trendeve arsimore globale.


Kështu deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri gjatë takimit ministror të organizuar nga UNESCO që po mbahet sot dhe nesër në Paris, si aktivitet përgatitor në pritje të Samitit për transformimin e arsimit që do të mbahet në shtator në Nju Jork.

“Pandemia mbylli për kohë të shkurtër institucionet arsimore në vendin tonë, kështu që mësimi realizohej nga distanca, përmes pajisjeve IT, televizionit etj. “Por shumë shpejt u përshtatëm me situatën e re dhe nga këndvështrimi i sotëm mund të them se kriza shëndetësore i solli përfitim të madh sistemit tonë arsimor ndërsa ai është përshpejtimi i procesit të digjitalizimit të tij”, theksoi Shaqiri.

Ministri theksoi se gjatë dy viteve të fundit, Qeveria me mbështetjen e disa faktorëve vendas dhe ndërkombëtarë si UNICEF, Banka Botërore, OECD etj bëri plan për reformimin e plotë të arsimit fillor me fokus në mësimdhënie, infrastrukturë dhe kuadrin mësimor.

“Sollëm Koncept të ri për arsimin fillor i cili përmban rekomandimet kryesore të ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendas se si duhet të duket procesi edukativo-arsimor bashkëkohor. Të rinjtë i udhëzojmë që të mësojnë me mirëkuptim dhe në këtë mënyrë ata do të bëhen më të përgatitur për zhvillim të mëtejshëm arsimor.

Filluam me zhvillimin në etapa të programeve të reja mësimore dhe teksteve shkollore. “Gjithashtu u fokusuam edhe në infrastrukturën arsimore dhe më e rëndësishmja u orientuam drejt ngritjes së motivimit të mësimdhënësve për punë përmes kushteve më të mira të punës, pagave më të larta dhe krijimit të mundësive për zhvillim të vazhdueshëm profesional dhe karrierë”, potencoi ministri.

Duke folur për planet e ardhshme të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Shaqiri u shpreh se së fundmi filloi të zbatohet testim i ri kombëtar i njohurive të nxënësve të klasave të treta dhe të pesta, ndërsa rezultatet e të njëjtit, së bashku me rezultatet e studimeve ndërkombëtare për kontrollimin e performancave të nxënësve si PISA dhe TIMSS, duhet t’i përcaktojnë drejtimet e ardhshme të veprimit.

“Në ndërkohë po punojmë për revidimin e formulës për financimin e arsimit fillor dhe planeve për optimizimin e rrjetit të shkollave, sepse ajo është drejtpërdrejt e lidhur me organizimin dhe cilësinë e mësimit. Kryhet edhe revizioni i metodologjisë aktuale për vlerësimin integral dhe vetëvlerësimin, si instrumente kryesore për identifikimin e fushave në përmirësinin e të cilës duhet të punojnë shkollat,” tha ministri.

Krahas Shaqirit, fjalim mbajtën edhe ministrat e vendeve të ndryshme për arsim në lidhje me atë se si të përshpejtohet progresi i arsimit deri në vitin 2030. Secili prej tyre i prezantoi rezultatet fillestare të konsultimeve kombëtare që u zhvilluan në periudhën e kaluar dhe u vërtetuan praktikat më të rëndësishme për intensifikimin e zhvillimit të arsimit.