Deputeti Skender Rexhepi – Zejd, në një intervistë për Gazetën LAJM, ka folur për aryset që e çuan ta braktis subjektin “Alternativa”. Ai ka thënë se vendimi ka qenë i rëndë, ndërsa është shprehur se në të ardhmen do të veprojë si deputet i pavarur, duke lënë të kutpohet se nuk do ta kthejë mandatin, siç kërkoi “Alternativa” një ditë më parë.

LAJM: Ju keni njoftuar se do të veproni si deputet i pavarur, por akoma nuk keni dhënë arsyet që ju çuan drejt largimit. A mund të na thoni çfarë ju shtyri të merrni këtë vendim?

Skender Rexhepi – Zejd: Vendimi nuk ishte fare i lehtë, pasiqë të braktisësh subjektin në të cilin je themelues është mjaft vështirë, por megjithatë ishte e domosdoshme pasiqë u shterën të gjitha mundësitë që udhëheqësia e ngushtë të ndryshoj mendësinë e funksionimit të partisë.

LAJM: A do të vazhdoni ta mbështesni qeverinë aktuale?

Skender Rexhepi – Zejd: Arsyeja e të qenurit pjesë e qeverisë ishte programi qeveritar dhe besoj që ende ka kohë që ky program të filloj të realizohet.

LAJM: A mund t’i bashkoheni ndonjë partie tjetër apo do të vazhdoni të mbeteni deputet i pavarur?

Skender Rexhepi – Zejd: Do të mbetem deputet i pavarur, ndërsa për veprimet e mëtutjeshme koha do të definoj rrugëtimin politik.