Regjistrimi i medresantëve po pengohet nga “rijaseti” i Shaqir Fetait

Deputeti i Aleancës për Shqitarët, Halil Snopçe, ka ngritur në Parlament një shqetësim i cili, në fakt shpalos diskriminimin politik që u bëhet medresdantëve të “Isa Beut”! Maturantët e kësaj Medrese nuk mund të regjisrohen, në asnjë fakultet publik, madje as në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup


Shkruan Shaban AZIRI

“Janë rreth 180 maturantë që nuk kanë të drejtë të regjistrohen, rreth 550 nxënës të Medresesë Isa Beu të cilët vetëm e kryejnë shkollimin e mesëm dhe për shkak të mos pasjes së akreditimit nuk kanë të drejtë të regjistrohen në universitetet shtetërore. Paradoksi më i madh, shteti i Turqisë i pranon, mund të regjistrohen në Turqi, nuk mund të regjistrohen në universitetet e këtij shteti. Unë këtu garantoj në emër të ASH-së se do nisim iniciativë për ligj për pranimin e diplomave nga ana e shtetit”, tha mes tjerash Snopçe.
Dhe, shtrohet pyetja: pse për këtë problem të BFI-së reagon politika? Nga ana tjetër, disa raporte ndërkombëtare thonë se, që kur isntalacioni politik Shaqir Fetai i caktuar në krye të BFI-së nga pushteti aktual maqedonas, na qenka takuar me presidentin Stevo Pendarovski, raportet ndërfetare në vend qenkan në harmoni të plotë! Po a nuk e prishë këtë harmoni kjo qasje diskrimunuese ndaj Medresesë “Isa Beu”! Pse “rijaseti” nuk e lakuriqëson këtë të pavërtetë për sa i përket “harmonisë ndërfetare”, dhe ta vë theksin mbi diskiminimin fetar si pasojë e të cilit është edhe ky qëndrim për ta penguar regjistrimin e medresantëve atje ku dëshirojnë! Në Turqi mund të regjistrohen, pa dyshim, por, a e dinë politikanët tanë se, nostrifikimi i diplomave nga fakultetet turke pamundësohet pikërisht për shkak të bazës së atyre diplomave, e që i bie të jetë Medresja “Isa Beu”! Pra, është për t’u përshendetur ndërgjegjësimi i politikës për sa i përket këtij problemi! Por, megjithatë, shtrohet një pyetje: pse reagon politika për Medresenë ndërsa hoxhallarët, teologët e vendit, profesorët e Medresesë, nxënësit e Medresesë dhe, për më tepër, vetë “rijaseti” heshtë dhe bëhet palë me politikën diskriminuese të pushtetit aktual!
Kush po i pengon këta që të protestojnë deri në padëgjueshmëri qytetare? Kush po i pengon këta që të ngrisin zërin kundër diskriminimit që po u bëhet fëmijëve të tyre, të cilët nuk mund të regjistrohen atje ku dëshirojnë vetë për të vetmin “faj” se kanë krye një shkollë profesionale teologjike! Ky problem duhet t’i tangojë teologët dhe tërë Rijasetin, duhet ta trishtojë Shaqir Fetain i cili, për një fotografi me Pendarovskin apo me Zaevin, është në gjendje që edhe ta mbyllë Medresenë!
Shkolla e Mesme Medresja “Isa Beu” nuk akreditohet përderisa Shaqir Fetai të jetë palë e politikave diskriminuese kundër medresantëve të “Isa Beut”! A ka më krim se t’ua pamundësoshë qindra nxënësve që të vazhdojnë shkollimin e mëtejmë ku të kenë dëshirë vetë ata! Pse këta të jenë të padëshirueshëm nëpër fakultete shtetërore? Pse Shaqir Fetai të angazhohet për një Medrese me vetëm 35 për qind lëndë teologjike vetëm e vetëm që të plotësohet “një kriter” që na u dashka për t’u regjistruar nëpër fakultetet shtetërore! Rijseti i BFI-së, politikbërësit e vendit duhet të insistojnë në një Medrese me qind për qind lëndë fetare, me qëllim që të na dalin teologë të mirëfilltë! Pushteti i Maqedonisë së Veriut është përplot me paradokse dhe, një prej tyre është edhe fakti që, brenda një viti ka punësuar tetë medresantë në shërbimin intelegjent maqedonas, ndërsa nuk ua pranon diplomat!
Është koha e fundit që Bashkësia Fetare Islame, Rijaseti, uzurpatori i këtij Institucioni, Shaqir Fetai, të dalë nga gëzofi ku strehohet nën sqetulla të pushtetit maqedonas dhe, ta detyrojë këtë pushtet, partitë tona, institucionet relevante që, ta ngrisin zërin kundër kësaj padrejtësie të pushtetit, kundër diskriminimit politik e fetar që u bëhet nxënësve të Medresesë dhe, të mos pritet akreditimi, madje edhe të refuzohet akreditimi i cili aktualisht po merret si alibi për ta pamundësuar regjistrimin e medresantëve nëpër fakultete shtetërore ku dëshirojnë ata. Medresja është një shkollë legale, legjitime, e regjistruar, me program mësimor konform kërkesave të institucioneve gjegjëse shtetërore ndaj dhe, nxënësit e kësaj shkolle të mesme duhet të jenë të barabartë në politikat regjistruese të të gjitha fakulteteve shtetërore të vendit. Këtë mund ta bëjë vetëm Rijaseti, vetëm Medresja, vetëm profesorët, nxënësit, me presionin e tyre, me reagimet e njëpasnjëshme, me protestat masovike që e detyrojnë politikën që të jetë më fleksibile në raport me këtë problem!
Vitin e kaluar u organizua një protestë njëorëshe e medresantëve dhe, sakaq, u mobilizua tërë politika e vendit, deri te Kryeministri Zaev, për të qetësuar situatën duke ofruar premtime të rrejshme. Një reagim më i unifikuar, i inicuar prej vetë atyreve që duhet të inicohet (Rijaseti, profesorët, nxënësit, prindërit) do ta detyronte politikën që brenda minutit të ofrojë rrugëdalje, siç ofronte edhe më herët kur për këtë gjë “kërleshej” ish-reisul ulema të cilit nuk i interesonte gjithëaq “harmonia ndërfetare” sa i interesonte jeta islame instituconale në vend. Atëbotë, anashkalohej qeveria, anashkalohej partia, anashkalohej Kuvendi dhe, vetëm me një vendim të Ministrisë së Arsimit, hapeshin dyert për të gjithë medresantët e vendit. Sot kjo praktikë ka vdekur, sepse është ringjallur interesi meskin i Shaqir Fetait, i cili, absolutisht nuk ka kurrfarë pikëtakimi me interesat e medresantëve tanë