Raporti i OKB-së për drogën: Shqipëria në vend të shtatë në botë për kanabis

Raporti i zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimet e rendit Shqipërinë në vend të shtatë në botë për kanabisin gjatë viteve 2017-2019.


Shqipëria qëndron pas vendeve si Maroku, Afganistani, Spanja, Holanda, Pakistani dhe Libanit, për origjinën, nisjen dhe kalimin transit të kanabisit.

Raporti përmend Shqipërinë dhe si pjesë e rrugës të Ballkanit për heroinën. Heroina trafikohet nga Pakistani, kalon nëpër Siri, Turqi, Greqi, Shqipëri dhe përfundon në vendet e Europës Perëndimore, shkruan euronews.al.

Edhe në shkallë globale vihet re rritja e prodhimit dhe konsumit të drogave të rënda. Raporti konstaton edhe një seri problematikash që hasen në procesin e rehabilitimit të përdoruesve.

OKB thotë se numri të varurve nga droga në mbarë botën u rrit me 25% në dekadën e fundit. Sipas Kombeve të Bashkuara, nuk ka vetëm një rritje të konsumit të heroinës por edhe të prodhimit te kokainës, që arrin deri në 2 mijë tonelata.

Pas një uljeje të përkohshme në 2014-n, prodhimi është dyfishuar, me Evropën dhe Amerikën e Veriut që janë tregjet kryesore.

Për herë të parë Agjencia e OKB-së për Drogën dhe Krimin mundi të krahasojë përdorimin e drogës tek burrat dhe gratë, duke zbuluar rezultate shqetësuese. Gratë janë më të paragjykuara dhe u jepet më pak ndihmë për tu shkëputur nga varësia e drogës.