Rama: Sot më shumë se kurrë vendet e NATO-s qëndrojnë në krah të njëra-tjetrës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet në Madrid ku po merr pjesë në samitin e NATO-s.


Kreu i qeverisë shqiptare ka shpërndarë në rrjetet sociale mëngjesin e kësaj të enjteje fjalët e presidentit Harry Truman për themelimin e aleancës ushtarake.

“Ne besojmë se është e mundur që kombet të bashkohen mbështetur në parimet madhore të lirisë njerëzore dhe drejtësisë. Por nuk mund t’ia dalim nëse qytetarët tanë përndiqen nga frika e përhershme e agresionit dhe barra e kostos së përgatitjes së kombeve të tyre individualisht kundër sulmeve. Lufta, për ne, nuk është e pashmangshme. Ne shpresojmë të ngremë një mburojë kundër agresionit dhe kundër frikës ndaj agresionit, që do të na lejojë të ecim përpara për të ndërtuar një jetë më të përmbushur e më të lumtur për qytetarët tanë. Në ka një gjë të sigurt sot, në ka diçka të pashmangshme në të ardhmen është vullneti i popujve të botës për paqe dhe liri”, ka thënë Truman.

Rama thotë se sot më shumë se kurrë vendet e NATO-s qëndrojnë të bashkuara krah njëra tjetrës.

“Dhe me këtë mesazh bashkimi të vendeve të NATO-s që sot më shumë se kurrë qëndrojnë në krah të njëra tjetrës, në aleancën më të fuqishme ushtarake, ku edhe Shqipëria jep kontributin e saj, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.