Përfaqësues të Komunës së Prishtinës, pas seancës solemne me rastin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës, kanë bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Velani.

I pari i Prishtinës, Përparim Rama, përkujtoi të gjithë dëshmorët si dhe ish-presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova.

“Këtu gjendemi sot për t’i nderuar dëshmorët gjatë luftës çlirimtare dhe për të nderuar presidentin Ibrahim Rugova për gjithë punën që e ka bëre. Sot i kujtojmë dhe i nderojmë të gjitha familjet që i kanë hapur shtëpitë dhe i kanë transformuar në spitale gjatë luftës dhe ata që gjatë kohëve të vështira i kanë transformuar shtëpitë në shkolla”.

Rama gjithashtu falënderoi prishtinasit të cilët pas dëbimit janë kthyer për të transformuar Prishtinën dhe që të kontribuojnë në zhvillimin e kryeqytetit.

Por, i pari i kryeqytetit nga këtu u zotua se do ta transformojnë këtë park memorial.

“Unë qysh në vitin 2010 në jetën time të mëparshme si arkitekt kam bërë projekt propozim transformimin e këtij parku memorial, fatkeqësisht nuk ka ndodhur asgjë prej vitit 2010. Tash vetëm jemi në proces të temave të referencave për konkurs ndërkombëtar, ku kanë mundësi të marrin pjesë edhe dizajnerë lokalë dhe internacionalë, që të transformojmë këtë park memorial në mënyrën më të mirë të mundshme që të tregojmë respektin ndaj të gjithë dëshmorëve, ndaj presidentit Rugova për çlirimin e vendit tonë”, tha ai, shkruan KP.

Dita e Çlirimit të Prishtinës është ditë manifestimi për të kujtuar 11 qershorin e vitit 1999 kur forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hynë në Prishtinë.

Kjo u bë në ditën kur hyri në fuqi Marrëveshja e Kumanovës e nënshkruar më 9 qershor në Kumanovë në mes forcave të NATO-s dhe Republikës Federale të Jugosllavisë.