Kryeministri Edi Rama shprehet se partia e Boyko Borissov e shpëtoi fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Rama deklaron se duhet që Bashkimi Europian të veprojë sa më shpejt për çështjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Sapo mora një telefonatë nga Boyko Borissov. Nuk mund ta falënderoja sa duhet për mendimin e tij të mirë që më thirri, por mund ta falënderoja për rolin e tij përcaktues në heqjen e VETO-s në parlament! Mik i vërtetë, lider i vërtetë. Partia e tij GERB dhe të tjerët shpëtoi fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së! Tani BE duhet të veprojë shpejt!”, shprehet kryeministri Rama.

Bullgaria miratoi këtë të premte rezolutën në të cilën mbështet propozimin e presidentit francez, Emmanuel Macron për zgjidhjen e ngërçit me Maqedoninë e Veriut.

Në seancën e Kuvendit, rezoluta u miratua me 170 pro, teksa 37 deputetë votuan kundër dhe 21 abstenuan.

Propozimi francez përmban disa pika të cilat janë: pakica bullgare duhet të përfshihet në kushtetutën maqedonase, asgjë në procesin qasës të mos interpretohet si pranim i gjuhës maqedonase nga Bullgaria, fqinjësia e mirë të mbetet kriter deri në fund dhe të shqyrtohet zbatimi i marrëveshjes për fqinjësi të mirë.